Ky 16 nëntor shënon 30 vjetorin e hapjes së Xhamisë së Plumbit të parës, që bashkë me meshën e katolikëve dy javë më herët, rikthyen lirinë e Besimit në Zot, të ndaluar me ligj nga regjimi komunist.

Vëllezërit Myftia që shtëpinë e kanë ngjitur me xhaminë ishin protagonistë të ngjarjeve të nëntorit 1990 kur Shqiptarët u rikthyen tek Besimi në Zot.

Medi Myftija: Këtu ishte mbuluar me ferra. Sa filloi erdhi policia, më çuan në polici.

Frika kujtojnë se ishte e madhe pasi sistemi edhe pse në grahmat e fundit vëzhgonte çdo lëvizje dhe mund të vepronte.

Ditën e faljes së drejtuar nga Hafiz Sabri Koçi madje ka patur ruajtje të zonës dhe snajper të vendosur rrëzë kalasë.

Abdullah Myftija: Ndërsa hoxha do të dilte nga shtëpia kemi pasur informacion se do të ndalohej. Ka pasur edhe spipera.

Ashtu si në meshën e parë edhe në përgatitjen për faljen, ishin edhe besimtarët katolik përkrah atyre mysliman, duke dëshmuar edhe njëherë tjetër harmoninë që ekziston në vendin tonë.

Abdullah Myftija: Vështirësitë kemi qenë të mëdha. Kas pasur kontribute edhe nga pjesa katolike.

Medi Myftija: Ato ditë ka qenë një forcë dhe një rini e fortë.

Këtë ngjarje historike jo vetëm për besimtarët myslimanë e përkujtoi edhe presidenti Ilir Meta me një mesazh ku vlerëson përkushtimin ndaj Atdheut e idealeve kombëtare, vlerave hyjnore e njerëzore, kontribut të vyer në drejtim të çështjes shqiptare, lirisë, demokracisë dhe forcimit të shtetit modern shqiptar.