Vijon për të dytën ditë radhazi beteja me flakët në malin e Taraboshit. Forcat zjarrëfikëse vijojnë përpjekjet ndërsa një ditë më parë arritën të shmangin avancimin e tij në fshatin e Paqes dhe zonës përreth. Dyshimet janë se zjarri edhe këtë herë ka qënë i qëllimshëm.

Për të dytën ditë radhazi forcat e shërbimit zjarrfikës dhe administrata e zonave të mbrojtura në Shkodër po luftojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit në malin e Taraboshit.

Pasi kanë arritur në orët e vona të mbrëmjes se të shtunës të shmangin kërcënimin që ato po i bënin fshatit të Paqes dhe objekteve përreth, tashmë era dhe thatësira që kanë ndihmuar në përhapjen e tyre, kanë bërë që flakët të ndërrojnë drejtim.

Prej orëve të para të mëngjesit të së dielës (23 gusht), 2 mjete dhe 8 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe punonjësit e ADZM po punojnë për shuarjen e plotë të vatrës aktive, që fatkeqësisht vijon, por këtë herë e shtrirë në krahun e kundërt duke zbritur në pjesën ku jeton komuniteti rom. Nga të dhënat e para dhe verifikimet e kryera në terren, specialistët që arritën të shuajnë flakët në pjesën e sipërme të malit të Taraboshit, thonë se në 10 minuta zjarri është përhapur me shpejtësi i ndikuar nga era e fortë.

Dyshimet janë që ai të ketë qënë i qëllimshëm, ndërsa pista e dorës së njeriut si shkaktar mbetet e pakundërshtuar, por do të jenë hetimet e thelluara të policisë dhe prokurorisë që do të bëjnë të mundur të jepet konkluzioni përfundimtar. Ajo që mund të thuhet me siguri është se dëmi përllogaritet i madh, duke patur parasysh se janë djegur peme pishe disa vjeçare si dhe mbjelljet e reja që ishin kryer vitet e fundit në zonën përreth. Kjo nuk është hera e parë që mali i Taraboshit bie pre e piromanëve që veprojnë në të tilla zona, ku ndërveprojnë interesa të ndryshme.

Për qytetarët periudha e verës por edhe shtatori duhet të shërbejnë si muajt ku kujdesi ndaj natyrës duhet të jetë shumë herë më i lartë për të shmangur zjarret që sjellin pasoja shkatërrimtare për kurorën e gjelbërt dhe mjedisin në tërësi. Mungesa e ndërgjegjesimi por edhe bashkëpunimit të tyre bën që çdo vit të humben me dhjetra hektare pyje.