Rreth 180 fëmijë nga klasa e parë në të pestën që patën probleme me ndjekjen e mësimit online, janë kthyer në klasa në Shkodër për orë plotësuese.

Duket se ky është një test paraprak i 14 shtatorit, ditës kur shënon nisjen e vitit të ri shkollor 2020 – 2021, që për shkak të koronavirusit pritet të jetë krejt ndryshe dhe me disa skenarë.

Drejtoresha e shkollës “Salo Halili”, Sonila Drini, shprehet që mësimi në shkolla do të zhvillohet në varësi të situatës.

Sonila Drini: “Të bëjmë planet tona të mundshme për realizimin e mësimit me turne, orareve dhe nëse do të zhvillohet i përzier, fizikisht apo edhe online. Megjithëse këto janë gjëra që mund të ndryshojnë edhe në varësi të situatave”

Për këtë institucionet arsimore kanë nisur të marrin masat sipas protokollit.

“Një rregullore të brendshme, e cila do të zbatohet me përpikmëri dhe gjimnazi do të punojë me skenarin e parë, atë të ndarjes së shkollës në dy turne”, shprehet Albana Bushati, drejtoresha e gjimnazit “28 Nëntori”

Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër, Blediana Osja tregon se pjesa më e madhe e shkollave do të zhvillojnë mësimin me 1 turn, disa me 2 turne dhe vetëm 3 shkolla parashikohen ta zhvillojnë mësimin me 3 turne.

Blediana Osja: “Faktikisht, 63 shkolla do ta zhvillojnë mësimin me një turn, kjo edhe për shkak se  shumica kanë numër të vogël nxënësish. Një numër prej 22 shkollash do të zhvillojnë mësimin me dy turne. Kemi edhe shkolla që do ta zhvillojnë mësimin me tre turne, të cilat pretendohet të jenë shkollat Ismail Qemali, Branko Kadia dhe Oso Kuka, për shkak të numrit të madh të nxënësve. Ka shkolla, të cilat kanë probleme edhe me ujin apo me energjinë elektike”

Megjithatë ka zëra kundër që e shohin nisjen e vitit të ri shkollor të dështuar ende pa nisur.

Kreu i Sindikatës së Arsimit, Arjan Peraj e sheh me rrezik për nxënësit e mësuesit rikthimin në këto kushte në shkolla.

“Ka shkolla që nuk kanë ujë. Është problematike ruajtja dhe menaxhimi i nxënësve nëpër klasa gjatë proçesit mësimor. Është problematik udhëtimi i mësuesve në shkolla”, shprehet Peraj.

Ende në Bashkinë Shkodër janë disa shkolla, kryesisht në njësitë administrative që kanë probleme me mungesën e ujit dhe energjisë elektrike, si dhe mungojnë sanitaret.