I vodhën automjetin 30-vjeçarit dhe më pas, me anë të mashtrimit, i morën një sasi lekësh duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin.

Policia e Shkodrës ka prangosur 6 persona me precedent penal të mëparshëm dhe të dyshuar edhe për disa vjedhje të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar dhe si rezultat i hetimeve të bëra, është bërë arrestimi i shtetasve: – S. G., 26 vjeç, banues në fshatin Dragoç, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Trafik klandestinësh”; – L. N., 36 vjeç, banues në fshatin Dajç, Lezhë, i dënuar më parë për veprën penale “Kallëzim i rremë”; – G. T., 25 vjeç, banues në lagjen ”1 Maji”, Shkodër, i dënuar më parë për veprat penale “Përndjekja” dhe “Vjedhja”; – V. B., 31 vjeç, banues lagjen ”10 Korriku”, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”; – S. H., 40 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër;  – F. H., 46 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe.” – njofton policia.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta shtetas i kanë vjedhur automjetin shtetasit E. B., 30 vjeç, banues në fshatin Mes, Shkodër dhe më pas, me anë të mashtrimit, i kanë marrë edhe një sasi parash, duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin që i kishin vjedhur.

Gjithashtu u procedua dhe ndiqet në gjendje të lirë shtetasi L. N., 46 vjeç, pronar i një servisi.

Gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 motomjet, 1 automjet, 50.000 lekë dhe 5 aparate celular.

Po punohet për gjetjen e mjetit tip “Mercedez Benz”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të disa vjedhjeve të ndodhura më parë në qytetin e Shkodrës.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së këtyre vjedhjeve.