Ky dokumentar është një rrugëtim i Shkodrës në kronikat filmike të diktaturës, që nis nga viti 1951 e shtrihet deri në vitet 70 – 80. I pagëzuar “Realiteti mes pasqyrimit dhe tjetërsimit”, dokumentari  të rikthen në kohë.

Dokumentari rrëfen mbi ndërtimin e gjimnazit të parë laik, kthimin e katedrales së Shkodrës në pallat sporti, si dhe mënyrën e festimit të karnavaleve në Shkodrën e atyre viteve.

Rikthimi në kohë nëpërmjet këtij dokumentari bëhet gjithashtu nëpërmjet kronikave që tregojnë për rindërtimin e qytetit pas tërmetit të 79-ës, prodhimin e autobusit të Nesharakut, fabrikat dhe eksperimentet bujqësore etj.

Shkodranët u përballen të parët me propagandën që servirej përgjatë atyre viteve. Kjo nisëm synon të shtrihet në çdo qytet.

Drejtoresha e AQSHF, Iris Elezi thotë se po bëhet një punë e mirë në dixhitalizimin fillimisht fotografik e më pas të kalohet tek ai video i arkivit.

Iris Elezi: “Për herë të parë qytetarët e Shkodrës dhe shpresoj së shpejti dhe qytetarët e tjerë shqiptarë dhe në botë do të kenë mundësinë të shikojnë se si xhiroheshin kronikat dhe çfarë ato thoshin përtej realitetit që jetohej”

Dokumentari është një hulumtim i studiuesit Ardian Ndreca, në kronikat e kinostudios “Shqipëria e Re”.