Fotografë e piktorë u bënë bashkë në një ekspozitë ku në qendër është biodiversiteti i pasur i Shkodrës dhe mesazhi shkoi për ruajtjen e natyrës.
Të sjellësh biodiversitetin përmes imazheve.
Ishte ky frymëzimi që bëri bashkë 6 fotografë dhe 2 piktor për të sjellë plot 80 imazhe fotografike dhe 20 ilustrime me gjallesa që gjenden në ekosistemin e liqenit të Shkodrës, lumit Drin.
Ekspozita e çelur në mjediset e qendrës “Arka” ka për qëllim të nxisë një debat të gjerë që synon rritjen e ndërgjegjësimit për njohjen dhe ruajtjen e kësaj pasurie që gjendet në territorin tonë.
Irena Toçi: Dëshironim që të kuptonin njerëzit pasurinë që kanë.
Marjan Lukani: Liqeni i Shkodrës është shumë i madh dhe ka shumë pasuri, por është i harruar.
Fotografët që sollën këto imazhe të radha të shpendëve migrator dhe atyre që janë pjesë e territorit shqiptar, apelojnë të ruhet mjedisi, për shkak se ndotjet dhe ndërhyrjet kanë ndërvepruar jo pak.
Denik Ulqini: Biodiversiteti ka pësuar goditjet e veta dhe ajo që mund të jetë e zakonshme, te ne është bërë e rrallë.
Rubin Mandija: Besoj se më ka rënë në sy shtimi i shpendëve, se nuk jemi mësuar për të parë pelikan për herë të parë vitet e fundit.
Përveç ekspozitës, nisma u finalizua edhe me botimin e një katalogu ku përmblidhet e gjithë puna e bërë së bashku me shpjegimet përkatëse.