Arrestohet autori i vrasjes së Gledis Krajës mbrëmjen e 17 gushtit në qytetin e Shkodrës.

Policia vuri sot në pranga Stjuart Smakaj, 23 vjeç. Gjithashtu është sekuestruar edhe arma e zjarrit, një pistoletë e modifikuar si kallashnikov.

Vrasja aksidentale- Sipas policisë, 23 vjeçari Gledis Kraja eshte vrarë gabimisht pasi shënjestra të ketë qenë një person tjetër.

Nga strukturat e DVP Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 17.08.2020, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe arrestimi i autorit, shtetasit S. S., 23 vjeç, banues në lagjen “Perash“. Ky shtetas gjatë një konflikti të çastit ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin D. H., ku si pasojë aksidentalisht ka ngelur i plagosur rëndë shtetasi G.K., 23 vjeç banues në lagjen “Perash”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër” informoi policia e Shkodrës.

Ne vendngjarje policia ka sekuestruar 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë zjarri.

Plumbi që i kaloi në zemër – Sipas dëshmive Gledis Kraja ka qenë duke qëndruar afër marketit ku punonin prindërit. Ndërsa makina me të cilën punonte ishte e parkuar.

Objektivi, Denis Halili ka arritur të largohet duke i shpëtuar plumbave.

Dyshohet se sherri ka nisur për vend parkimi mes vëllezërve Smakaj dhe një grupi tjetër personash. Stjuarti ka shkuar në banesë ka marrë armën dhe ka qëluar nga kati i dyte i pallatit.

Denisi ka arritur të largohet ndërsa një plumb e ka prekur në shpatull Gledisin dhe i ka kaluar direkt në zemër. I riu ka shkuar në spital por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve.

Plumbat kanë kapur makinën e 23-vjeçarit.

Ne foto: Viktima, Gledis Kraja, makina dhe arma e krimit

Kontrollet dhe negociatat – Prej mbrëmjes së djeshme policia vijonte kontrollet e shumta në bashkëpunim dhe me FNSh për të rënë në gjurmët e autorëve të krimit. Gjithashtu kishte mbajtur në rrethim zonën ku mendohej se fshihej autori.

“Fale reagimit në kohë të strukturave të DVP Shkodër, rrethimit të zonës, kontrolleve të shumta në bashkëpunim me FNSH dhe presionit të ushtruar nga forcat e policisë duke mbajtur në rrethim zonën ku fshihej autori, si dhe pas negociatave me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e autorit të ngjarjes së mbrëmshme ku mbeti i plagosur me armë zjarri dhe më pas humbi jetën 23 vjeçari G.K. Vihet në pranga shtetasi S.S. 23 vjeç, banues në Shkodër” informoi sot policia e Shkodrës.

Sekuestrohen makinat e autoreve ne konflikt- Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit 18 gëzhoja të qitura nga kjo armë zjarri , automjetet të cilat janë të palëve në konflikt, si dhe vijon puna intensive për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.