Shkencëtarët në Portugali pretendojnë se kanë bërë një përparim të madh në teknologjinë e mbrojtjes nga Covid-19.

Ata kanë projektuar një maskë të re për fytyrën me një shtresë të veçantë për të cilën thonë se ndihmon për të “çaktivizuar” koronavirusin e ri kur bie në kontakt me pëlhurën.

Ekipi thotë se ky efekt mbrojtës mbetet i njëjtë edhe pas 50 larjes, duke e bërë maskën shumë të ripërdorshme.

“Vendosja e maskës mund të zvogëlojë njësitë infektive të virusit me 99% në gjysmë ore”, tha Pedro Simas nga Instituti i Mjekësisë Molekulare në Lisbonë (IMM), një nga virologët që ka punuar për këtë dizajn.

Ai këmbëngul që maska ​​në përgjithësi, e kombinuar me masa distancimi shoqëror, janë ndryshuesi i lojës.

“Këto viruse transmetohen përmes pikave të frymëmarrjes, me diametër rreth një milimetër. Pra, çdo pengesë që ndalon qasjen e këtyre pikave të mëdha në sistemin tuaj të frymëmarrjes është shumë e efektshme”, është shprehur Pedro Simas.

Përbërësi aktiv i këtyre maskave është testuar nga Instituti Francez Pasteur de Lille kundër virusit H1N1 dhe rotavirusit, nga ku ka dalë i suksesshëm.

Për ata që shqetësohen për veshjen, mbulesa e fytyrës është e certifikuar nga OEKO-Tex, që do të thotë se nuk përmban substanca të dëmshme dhe është e sigurt për përdorim njerëzor.

“Unë e di se nuk është e rehatshme,është shumë agresive, por është një mjet shumë i rëndësishëm, një sakrificë shumë e vogël për të shpëtuar jetë”, ka thënë Pedro Simas.