Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e hetimeve ndaj prokurorit të Pogradecit Shkëlqim Kokona, i cili dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës.

Prokurori i Përgjithshëm i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të nisw hetimet për prokurorin Shkëlqim Kokona, i cili ushtron në organin e akuzës në Pogradec.

Kryeprokurori Çela kërkon nga ILD që të kryehen verifikime ndaj prokurorit Kokona pasi ka kryer shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës në kundërshtim me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndaj sipas Prokurorisë së Përgjithshme Kokona ka kryer shkelje të nenit 10 të ku thuhet se shkelje disiplinore është kërkesa për heqje dorë nga gjykimi i një çështje kur nuk bazohet në ligj, apo është bërë e qëllimshme për të krijuar përfitime të padrejta për palët.

Një tjetër shkelje konsiderohet kur synohet të shmanget magjistrati nga detyrimi ligjor për shqyrtimin e çështjes ose synohet të krijohet mundësinë e shqyrtimit të saj nga magjistratë të tjerë.

Ky është rasti i parë që nga krijimi i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë që Prokurori i Përgjithshëm  i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e inspektimit disiplinor për një prokuror.

Sipas njoftimit të prokurorisë ky hetim ndaj prokurorit Kokona shpreh vullnetin për të kontribuar në mirëfunksionimin e shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet, përmes një qasje proaktive dhe rritjes se koordinimit ndërinstitucional, duke synuar rritjen e përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë.