Efektivët e komisariatit numër 6 në kryeqytet parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale në familje.

Në pranga ka rënë një 41-vjeçar, i cili duke shkelur urdhrin e mbrojtjes ka kërcënuar me thikë bashkëshorten e tij.

41-vjeçari ishte dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në Yrshek, në ambientet e banesës, shtetasi Ç. M. kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga Gjykata për bashkëshorten e tij dhe po ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, si dhe po e kërcënonte atë me thikë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Shërbimet e Policisë kanë prangosur shtetasin Ç. M., 41 vjeç, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilën ky shtetas e kërcënonte për ta vrarë bashkëshorten e tij”.

Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.