Shkarkohet nga detyra prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, Fatmir Lushi.

KPK e shkarkoi nda detyra Lushin pak muaj më parë, ndërkohë ditën e sotme, KPA-ja ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për vendimin ndaj Lushit ka qenë i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtarë.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 125, datë 26.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fatmir Lushi. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.” – thuhet në njoftim.

Shkarkimi i Lushit erdhi pasi KPK, konstatoi probleme me pastërtinë e figurës dhe pasurinë e prokurorit gjatë hetimit administrativ.

Fatmir Lushi ka kryer shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2006-2009.

Në vitin 2009, ai është emëruar prokuror i Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa në vitin 2014 është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit.

Në janar të vitit 2017, Lushi u komandua drejtues i Prokurorisë së Fierit, detyrë të cilën e kryente deri para shkarkimit.