Shisnin vaksina anticovid me 'Telegram" 155 euro doza

Shisnin vaksina anticovid me 'Telegram" 155 euro doza

Autoritetet italiane kanë vënë nën sekuestrim dy kanale telegram në të cilat shiteshin në mënyrë ilegale doza vaksine anti Covid të tipave të ndryshme.

Vaksina AstraZeneca, Pfizer e Moderna tregtoheshin ilegalisht duke arritur deri në 155 euro doza e në 20 mijë euro pako me 800 flakone, me garancinë e ruajtjes së anonimatit, ambalazhimit, transportit me frigorifer me temperaturën e duhur, si dhe me thirrjen për kryerjen e dozë së dytë pas disa javëve nga blerja.

Kanalet ilegale telegram kishin vënë në dispozicion dhe një numër shërbimi klientësh me të gjitha informacionet e kërkuara nga blerësit.

Operacioni i koduar "Vax Free" i Policisë financiare italiane e repartit special të mbrojtjes së pavarësisë e kundër mashtrimit teknologjik, ka zbardhur se janë me mijëra klientë të cilët  i janë drejtuar dy kanaleve telegram, të interesuar për t'u vaksinuar pa pritur kohën e caktuar nga fushata kombëtare e vaksinimit të popullsisë.

Hetimet e operacionit janë në zhvillim e sipër dhe autoritetet policore italiane po punojnë të zbardhin prejardhjen e vaksinave, mënyrën e tregtimit të tyre për llogari të organizimeve kriminale që kanë si qëllim monopolizimin e tregut klandestin e mashtrimin e klientëve.

Autoritetet italiane nënvizojnë se nëse vaksinat janë të falsifikuara përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin publik, e janë pa efikasitet kundër pandemisë Covid 19.

EMISIONET