Sistemi i drejtësisë nuk funksionoi për të ndëshkuar shitblerjen e votës, aq shumë të diskutuar në çdo palë zgjedhje.Dosja e Dibrës rezultoi një fluskë sapuni.

Por drejtësia e re vepron shumë shpejt për persona si Tire Alldervishi, ndërsa për “peshqit e mëdhenj” pothuajse nuk funksionon.

Juristi, Ylli Manjani, është më gjakftohtë  në këtë drejtim. Duke iu referuar ligjit, ai sqaron se në çështjet zgjedhore drejtësia ose funksionon në çast ose nuk funksionon më.

Manjani: O e zënë në flagrancë atë të tjetrin duke vjedhë ose i zë opingat. Përgjimet janë për të kuptuar se çfarë ndodh pas kuintave, por që të dënosh dikë duhet ta zësh me presh në duar. Në Shqipëri padiskutim shitet dhe blihet vota, unë ndëshkoj më shumë shitësin. Nëse i ngatërrojmë gjërat kemi pritshmëri të larta dhe shfryjmë te dikush që nuk flet, gjykata. Tirja dhe ky i bombolave janë pasojat e një sistemi politik të kalbur, të korruptuar që në partencë. Partnenca është blej vota dhe vjedh në pushtet. Tirja sheh ndonjë gjë atje lart dhe thotë të vjedh dhe unë të çoj ndonjë gjë në shtëpi, Tirja është bishti i kavallit.

I ftuar në Rtv Ora, Manjani thotë se këtë vend nuk e ka sjellë në këtë gjendje korrupsioni në shëndetësi.

Manjani: Duhet të pranojmë që në sektorin e shëndetësisë, në ditën e vet më të keqe, çështja e parave nuk është si te dogana. Është sektor jetësor që ka të bëjë me shëndetin, janë personel i kualifikuar përgjithësisht, masivja është më shumë presin një bakshish sesa të bëhet me kërkesë. Sude ka gjithmonë, është mes nesh, në çdo sektor, edhe në kryeministri ka Sude. Duhet të kuptojmë çfarë nuk shkon te sistemi. Sistemi jonë administrativ shtetëror është dizastër, gjithmonë diçka mungon dhe këtë ti do ta blesh.

E ndërsa ndëshkuam korrupsionin në spitale me sanitaren e “Shefqet Ndroqit” dhe oksigjenistin e spitalit të Kavajës pas hekurave, Manjani thotë se kush duhet të përgjigjet për shpenzimet marramendëse për kurimin e Covid të atyre që nuk kanë shkuar fare në spitale.

Manjani: Unë e kam kaluar Covid në familje, dhe prindërit. Po sa shpenzime janë bërë pa shkuar në spital fare, pa takuar këtë Tiren, janë shpenzime marramendëse dhe për këtë nuk përgjigjet njeri.Kujt t’ja faturojmë këtë? Edi Ramës patjetër, politikës së gabuar, sistemit të poshtër, maskarandë, që vetëm propagandon dhe nuk bën asgjë.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana