Vjeshta rikthen virozat, fluks në Poliklinika, 25-30 vizita në ditë te një pediatër

Numri i fëmijëve të prekur nga virozat është rritur ndjeshëm ditët e fundit. 25-30 vizita në ditë kryhen mesatarisht vertëm nga një pediatër.

Mjekja, Sonila Brati, thotë se kjo situatë është e lidhur me rikthimin e fëmijëve në çerdhe e kopshte.

"Vazhdojmë të jemi me rritje të rasteve, vizitave. Vërejmë që këto javët e fundit ka një rritje të tyre. Mund të shkojnë 25-30 vizita në ditë."

Shqetësim për këtë periudhë është dhe infeksioni i syrit te mosha 1-6 vjeç.

"U bë gati 15 ditë me infeksionet e syrit që janë në rritje. E kemi hasur dhe në periudhën e verës por këtë periudhë shumë më tepër për shkak të rifillimit të kopshteve, çerdheve dhe shkollave në kapacitete të plota. 2-3 fëmijë në ditë që paraqiten te ne me probleme të konjuktiviteve."

Temperatura e lartë dhe problemet respiratiore janë të tjera simptoma me të cilat po përballen fëmijët në këtë fillim vjeshte.

"Vazhdojnë të dominojnë temperaturat e larta te fëmijët që shkojnë 39-40, vazhdojnë të jenë dominuese infeksionet e rrugëve të sipërmërme respiratore, shumë probleme të bajameve të qelbëzuara, diarretë dhe të vjellat po i hasim shumë te fëmijët."

Për tu mbrojtur prej këtyre virozave mjekët sugjerojnë shmangien e ambjenteve kolektive si dhe kontaktin e shpeshtë me pediatrin.

EMISIONET