Virozat stinore/Dyndje në dyert e Pediatrisë, mjekja: Janë normale, alarmi i panevojshëm

Luhatjet e menjëhershme të temperaturave kanë stimuluar përhapjen e virozave stinore, të cilat janë regjistruar në masë tek fëmijët deri në 5 vjeç.

Prindërit bashkë me fëmijët janë dyndur në Urgjencën e Pediatrisë, ndërkohë që mjekët rekomandojnë shmangien e alarmit që në ditën e parë.

Sipas tyre, paraqitja në spital duhet të bëhet vetëm nëse simptomat vazhdojë.

Mjekja pediatre, Jonida Diko, thotë se shkaku kryesor i shfaqjes së tyre është luhatja e menjëhershme e temperaturave.

"Rritja e temperaturave ka bërë që gjithë fëmijët dhe të rriturit të ekspozohen në temperatura të lartë dhe të mos vishen si duhet, të djersiten nga rrobat. Kjo bën të mundur të ekspozohen më shumë nga këto viroza."

Sipas mjekes, prindërit nuk duhet të alarmohen që në ditën e parë të shfaqjes së simptomave.

“Prindi nuk duhet të shkojë që ditën e parë te urgjenca pediatrike por të paraqitet te pediatri i fëmijës në qendrën shëndetëosre. Kur prindi sheh që ka një temperaturë që fëmijët i zgjat disa ditë, ka një dobësi të theksuar, anoreksi, diarre, të vjella patjetër duhet të paraqitet te pediatri të marrë rekomandimet e duhura."

Kjo këshillë vlen edhe për të rriturit.

Në Tiranë qendrat shëndetësore numër 6, 7, 9, 10 ofrojnë shërbimin e pediatrisë 24 orë.

Pritja në radhët e urgjencës sipas mjekëve nuk është zgjidhje.

EMISIONET