“Të rivlerësohet vaksinimi i fëmijëve”, mjekët: Injeksioni vetëm për ata që kanë probleme shëndetësore

Mjekët thonë se vendimi për vaksinimin e fëmijëve duhet rivlerësuar. Sipas tyre injeksioni është i nevojshëm vetëm për ata që kanë probleme shëndetësore.

Tani që emergjenca e pandemisë ka kaluar, mjekët thonë se vendimi për të vaksinuar të vegjlit duhet riparë.

Epidemiologu, Erion Dasho, thekson se vendimmarrja duhet të jetë rezultat i studimeve serioze e të thelluara nga mjekët e fushës.

"Nuk duhet të jetë një individ që të vendosë vulën pro ose kundër. Duhet të jenë ekipe që të kenë në brendësi të tyre pediatër, infeksionistë, imunologë, epidemiologë, biostaticienë dhe të analizohen evidencat dhe vetëm atëherë të merren vendimet. Rekomandimet nga individë nuk i bëjnë mirë këtij procesi."

Për epidemiologun, Ilir Alimehmeti, duhet të vaksinohen vetëm ata fëmijë që kanë probleme shëndetësore.

"Kemi një artikull të publikuar me 13 maj në revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, ku pasi kanë studiuar fëmijët dhe adoleshentët shohim që në muajin e dytë pas dozës së dytë te fëmijët efektiviteti është vetëm 28-29% dhe te adoleshentët vetëm 16% për infeksionin simptomatik, janë nivele shumë të ulëta."

Në Shqipëri vaksinimi i të vegjëlve kundër Covid nisi në nëntor por interesi ka qenë i ulët.

Me ritme jo të mira dhe larg objektivave të OBSH-së apo qeverisë ka shkuar procesi edhe për të rriturit.

Sipas mjekut Erion Dasho dy janë arsyet.

"Faktori mbarëbotëror i lëvizjes konspirative dhe faktori tjetër në Shqipëri që mund të ishte shmangur, ai i aplikimit të vaksinave jocilësore, fatkeqësisht sollën një situatë ku Shqipëria sot është nga vendet europiane me shkallën më të ulët të vaksinimit."

Vera pritet të jetë e qetë, por edhe vjeshta e dimri thonë mjekët nuk parashikohen të sjellin valë të re pandemie.

EMISIONET