Shërohemi me “ilaçet” e 2004/ Mjekësia online, por protokolli i barnave nuk preket prej 18 vitesh

Mjekët e familjes janë të detyruar të përdorin antibiotikët e 2004, pasi duhet t’i përmbahen protokollit të miratuar nga ministria. Fushatën e nisur për kufizimin e përdorimit të antibiotikëve, bluzat e bardha e konsiderojnë shumë të rëndësishme, ndërkohë farmacistët thonë se qytetarët i marrin ende pa recetë disa prej tyre.

Protokolli i medikamenteve që mund të përdori mjeku i familjes është rinovuar për herë të fundit rreth viteve 2004, e kjo i ka detyruar bluzat e bardha në qendrat shëndetësore të kenë mundësi më të pakta në përdorimin e medikamenteve të reja.

Mjekja Bruna Shiroka, thotë se fushata e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e antibiotikëvë është shumë e rëndësishme.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Për disa kohë përdorimi i antibiotikëve ka qenë një problematikë kyçe e përditshmërisë tek mjeku i familjes. Ka qenë i domosdoshëm, i duhur, i zgjedhuri. Mund të themi që është bërë më e mira duke u mbështetur në protokolle të përditësuara," tha mjekja.

Shpesh herë mjekët janë përballur edhe me pacientë që e kanë zero rezistencën e antibiotikëve, dhe kjo sipas Shirokës, vjen për shkak të përdorimit të tepërt të tyre.

"Për shkak të numrit të lartë të rasteve dhe sëmundshmërisë, padyshim që edhe sasia e antibiotikëve të përdorur është e lartë," tha ajo.

Farmacistja Krisilda Plepi konfirmon se ka ende qytetarë që paraqiten për të marrë një antibiotik pa recetë.

"Qytetarët preferojnë deri diku të vetëmjekohen, duke dëgjuar një informacion nga një i afërm apo rrethi shoqëror që "X" antibiotik mua më ka bërë mirë dhe vijnë të marrin antibiotikë pa recetë në farmaci. Janë më tepër preparate, kimikisht lëndë të vjetra që kanë vite që janë në treg," tha ajo.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë rinovim të protokollit të barnave vetëm për kurën kundër Covid 19, ndërsa për të tjerat mjekët duhet t’i binden listës së ilaçeve të 18 viteve më parë.

EMISIONET