Rriten infektimet në Gjirokastër, mjekët: Të prekurit me Covid lëvizin lirshëm në qytet

Në Gjirokastër rastet me Covid po rriten ndjeshëm. Mjekët thonë se personat e infektuar nuk po qëndrojnë të izoluar, duke u kthyer në rrezik për qytetarët e tjerë.

Në Gjirokastër mjekët po përballen me fluks pacientësh të infektuar me Covid-19.

Vetëm në një ditë nga 39 persona të testuar kanë rezultuar pozitiv 29 prej tyre.

"95% e pacientëve që dalin pozitiv me Covid janë ata persona të cilët kanë mungesë të vaksinimit. Pjesa më e madhe e këtyre moshave janë nga 35-55 vjeç".

Sipas mjekut, Arenc Brahimi, rastet po rriten ndjeshëm pasi të infektuarit nuk po qëndrojnë të izoluar.

"Personat nuk vetëizolohen në banesat e tyre. Një numër i madh i tyre lëvizin lirisht në qytetin e Gjirokastrës."

Edhe pse rastet po shtohen ditë pas ditë interesi i qytetarëve për vaksinën është i ulët.

Procesi edhe në Gjirokastër po ecën me ritme të ngadalta. Në ditë nuk vaksinohen më shumë se 20 persona.

"Personat e pavaksinuar që nuk kanë marrë dozën e tretë ose bustet u bëjmë apel që të vijnë pranë qendrave shëndetësore për të aplikuar. Ne si shërbim shëndetësor jemi me katër doza."

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Gjirokastër rezultojnë me Covid 143 persona.

EMISIONET