"Osteopatia dhe kiropraktika nuk janë e njëjta gjë"/ Mjeku Llaperi: Njëra është e butë ndërsa tjetra vepron më shpejt dhe me forcë
Mjeku Arian Llaperi, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, sqaroi një nga keqkuptimet më të shpeshta në trajtimet manuale të dhimbjeve të shtyllës kurrizore, duke bërë dallimin mes osteopatisë dhe kiropraktikës.
Sipas tij, këto dy metoda shpesh ngatërrohen nga pacientët, megjithëse kanë filozofi dhe teknika të ndryshme në trajtim.
Osteopatia, sipas shpjegimit të tij, mbështetet në lëvizje të buta dhe të zgjatura, me presion të lehtë dhe trajtim gradual të trupit. Ndërsa kiropraktika bazohet në lëvizje më të shpejta dhe më të forta, me efekt të menjëhershëm në zona të caktuara të trupit.
"Osteopatia përdor teknika më të buta, me lëvizje të ngadalta dhe të kontrolluara. Kiropraktika është më e shpejtë dhe më e drejtpërdrejtë, me ndërhyrje të menjëhershme në segmentet e shtyllës kurrizore."-tha mjeku.
Ai shtoi se konfuzioni mes këtyre dy metodave është i zakonshëm, por njohja e dallimeve ndihmon pacientët të zgjedhin trajtimin e duhur sipas problematikës së tyre.
"Shumë njerëz i ngatërrojnë këto dy metoda, por secila ka mënyrën e vet të veprimit dhe përdoret për situata të ndryshme klinike."-shtoi ai.
Mjeku theksoi se zgjedhja e trajtimit duhet bërë gjithmonë në bazë të vlerësimit profesional dhe gjendjes shëndetësore të pacientit.


