Ngrihet komiteti për linë e majmunit, Manastirliu: Shqipëria me risk të ulët, po fuqizojmë kapacitetet

Pas shpalljes emergjencë botërore, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një Komitet Ekspertësh për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së lisë së majmunit.

Ministrja Ogerta Manastirliu thotë se po forcohen kapacitetet edhe pse Shqipëria mbetet vend me risk të ulët.

“Përveç rritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve tona të laboratorit, kemi marrë masa për fuqizimin e të gjithë rrjetit të survejancës sentinel. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masat së bashku me Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, me strukturën e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajnimin e mjekëve, një element shumë i rëndësishëm në funksion të kontrollit dhe parandalimit të kësaj sëmundje”, tha Manastirliu.

Kjo sëmundje mund të diagnostikohet edhe në Institutin e Shëndetit Publik. Janë mbi 3 mijë reste që kanë mbërritur në ISHP për identifikimin e lisë së majmunit.

"Ajo çfarë ne kemi bërë në parapritje edhe të këtij vendimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që kemi fuqizuar kapacitetet tona në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Aktualisht kanë mbërritur në Institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve" tha Manastirliu.

“Çfarë kemi bërë ne deri tani në ISHP është përgatitja laboratorike. Pra ne kemi kapacitetet për të identifikuar virusin. Kemi kryer edhe trajnime dhe do të kryejmë edhe trajnime të mëtejshme në lidhje me marrjen dhe transportin e mostrës, pasi edhe rekomandimet kanë ndryshuar sidomos edhe kohët e fundit në lidhje me marrjen e disa mostrave, për të qenë sa më efikas në diagnostikim” u shpreh Silva Bino.

Ekspertët rekomandojnë vaksinën e lisë për kontaktet e afërta dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.

 

 

EMISIONET