Nga 1 Nëntori vaksina HPV për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës

Nga një nëntori i këtij viti në kalendarin kombëtar të vaksinimit, do të përfshihet për herë të parë vaksina HPV për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e grave dhe vajzave.

Ogerta Manastirliu: “Duke filluar nga 1 nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshimë në kalendarin tonë kombëtar të vaksinimit, vaksinën kundër human papilomavirusit. Një vaksinë e cila është deri në 100 përqind efektive kundër kancerit të qafës së mitrës dhe fillojmë me vajzat të cilat kanë lindur nga 1 janari i 2009 për ti përfshirë në këtë kalendar.”

Manastirliu gjithashtu foli edhe për barnat e rimbursuara për të sëmurët kronik dhe ata me sëmundje tumorale, duke thënë se në buxhetin e shtetit të këtij viti do të ketë një rritje të vlerës.

Ogerta Manastirliu: “Ne kemi një fond të rimbursimit të barnave i cili planifikohet që edhe për vitin 2023 të rritet duke shkuar në vlerën 11.4 miliard lekë ose 114 milionë euro.”

Në kuadër të tetorit rozë dhe sensibilizimit për luftën kundër kancerit të gjirit, Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se do të ketë njësi të tjera të kimoterapisë në spitalet rajonale ndërsa synohet që të arrihet në 50.000 gra në vit që kryejnë mamografinë falas.

EMISIONET