"Ne jemi çfarë përthithim!" Shëndeti jonë varet nga zorra, këshilla të vlefshme nga nutricionistja Basha
Nëse deri dje kemi menduar se jemi çfarë hamë, duke nisur nga sot duhet të ndryshojmë këndvështrimin tonë: Ne jemi çfarë përthithim.
Nutricionistja, Hyrida Basha, në një intervistë për emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora shpjegoi me detaje sesa e rëndësishme është për shëndetin dhe sistemin tonë imunitar që ne të kemi një zorrë të shëndetshme dhe funksionale.
Si të fitojmë imunitet përmes ushqimit
80% e sistemit imunitar është i zhvilluar në zorrë. Është kryefjala, çdo sëmundje vjen nga zorra. Nëse zorra jonë është e dëmtuar dhe nuk përthith të gjithë elementët e duhur nuk jemi më çfarë hamë por çfarë përthithim. Zorra është e veshur me qeliza ose është e ndërtuar me vile dhe mikrovile. Nëse kjo shtresë është e dëmtuar formohen kanale të përshkueshme që lejojnë kalimin e elementëve toksikë, radikaleve të lirë ose elementët e panevojshëm në gjak. Shëndeti jonë varet nga zorra.
Çfarë e dëmton
Ka arsye pa fund pse dëmtohet zorra. Dikush mund të ketë probleme me sëmundjen e celiakisë, dikush është intolerant ndaj glutenit, një tjetër ka dembelizëm të zorrës, një tjetër ka mungesë të florës intestinale.
Si ta kuptojmë që nuk kemi zorrë të shëndetshme
- Diarre e herëpashershme
-Kapsllëk i herëpashershëm
-Fryrje pa arsye e barkut
-Dëshira për ta nxjerrë ushqimin, qoftë edhe me të vjella
-Probleme me tretjen
-Djersitje
-Lodhje
-Pafuqi
-Ekspozimi i shpeshtë ndaj virozave
"Këto simptoma mund të ngatërrohen edhe me ndonjë problematikë tjetër por të jeni të bindur që vijnë nga zorra. Një person që sëmuret shpesh kuptohet që sistemi i tij imnunitar është i rrëzuar dhe kjo tregon se ka një zorrë problematike. Ose persona që vërtet mund të jashqisin çdo ditë por që nuk e kryejnë procesin deri në fund, tretja nuk është deri në fund" shpjegon nutricionistja.
Ekzaminimi
Si fillim shkojmë te mjeku pasi edhe nëse ndryshojmë mënyrën e të ushqyerit përsëri nuk jemi duke trajtuar problematikën. Nëse vuajmë nga intoleranca ndaj glutenit ne vazhdojmë të ushqehemi mirë por me produkte që përmbajnë gluten. Duhet të zbulojmë problemin dhe pastaj ta trajtojmë.
Ushqimet që rrisin imunitetin
Duhen përshtatur në varësi të sezonit. Tani në dimër brokuli, lulelakra, hudhra, piperi, qepë. Kanë shumë Quercetin. Perimet gjethegjelbra janë shumë të rëndësishme, lakra, preshi, sallata jeshile, rukola. Është shumë i rëndësishëm përdorimi i çajrave, kanë ujë dhe antioksidatë. Mirë do ishte të përdorim xhinxherin, kanellën, karafilin, çajrat e lëkurës së portokallit, mollës. Sasi të larta të agrumeve, mjaltin.
Bie miti i frutave me mjaltë
Frutat nuk është mirë të shoqërohen me mjaltë. Frutat kanë mjaftueshëm fruktozë dhe nuk ka asnjë nevojë për shtesa të tjera sikurse është edhe mjalti. Kanellën mund ta shtojmë.
Lufto gripin me kos
Kosi është shumë i rekomanduar në raste gripi, ka sasi të lartë të laktobacileve. Duke e shoqëruar me fruta të pyllit. Vaji i ullirit gjithashtu nuk duhet të mungojë në sallatat tona që duhet të jenë në drekë dhe darkë, një lugë gjelle që të marrim sasinë e lartë të vitaminës E. Është e rëndësishme që në sallatë të kemi shumëllojshmëri ngjyrash dhe produktesh, janë manifestim i asaj çfarë përmban një frut apo perime e caktuar.