Më pak bebe në Elbasan, mjekët: Çdo vit numri i foshnjave ulet me 100
Në tre mujorin e tretë të këtij viti në Elbasan lindën 592 foshnja, 81 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Për mjekët këto të dhëna të INSTAT nuk janë të reja.
Ata thonë se nga viti në vit numri i foshnjave ulet me 100.
"Ne vërejmë një ulje të numrit të lindjeve me 100 lindje në vit. Nëqoftëse vjet kemi qenë me 1300 lindje në vit, sivjet planifikojmë tek rreth 1200 lindje. Kjo ka qenë tendencë e përvitshme, jo vetëm për vitet e fundit, por për një kohë më të gjatë," tha Olgert Alla, shef i Obstetrikës, Spitali i Elbasanit.
Shkaqet e tkurrjes së popullsisë janë të ndryshme.
Lidhen me emigrimin, arsyet ekonomike por edhe emancipimin e grave e vajzave.
"Mendoj se kryesorja mund të jetë emigrimi i rinisë. I çifteve të reja, pasi nuk kemi më familje me shumë fëmijë, por maksimumi me 1-2 fëmijë. Ndërsa mosha e grave që lindin është rritur. Nuk kemi më vajza të reja 18-20 vjeç, siç kemi pasur më parë, por është rritur mosha e grave shtatzëna," tha ai.
As bonusi i bebes në vlerën 40 mijë për fëmijën e parë duket se nuk ka dhënë efekt.
"Të gjitha çiftet e reja përfitojnë bonusin e bebes, është ndarë në mënyrë të rregullt. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme," tha mjeku.
Sipas të dhënave të INSTAT lindjet në 3-mujorin e tretë 2022 në Shqipëri ishin 6 mijë e 172, duke shënuar një rënie me 19,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2021.