Lia e majmunit, s`ka vend për alarm. Mjeku Alimehmeti: Nuk ka transmetueshmëri të lartë, kalon për 3 javë
Lia e majmunit është emergjenca e radhës shëndetësore globale e shpallur nga OBSH.
Në Shqipëri ku ende nuk ka raste të konfirmuara mjekët thonë se nuk ka vend për alarm.
"Edhe ajo vaksina e lisë që kemi bërë kohë më përpara, grupmoshat mbi 35 në Shqipëri e kanë bërë, ka njëfarë efektiviteti. Jua thashë nuk ka asnjë humbje jete në Europë, SHBA. Ka një vaksinë të miratuar, ka mjekime specifike të miratura. Pra jemi shumë larg asaj që mund ta quajmë emergjencë," tha mjeku Ilir Alimehmeti.
Në rastet e zyrtarizuara rezulton se 99% e të prekurve janë meshkuj ku 98% e tyre janë pjesë e komunitetit LGTI ndaj mjeku IlirAlimehmeti thotë se më shumë kujdes duhet të tregoj kjo kategori.
"Është brenda këtij grupazhi problemi aktual. Kujdes! Nuk duhet të stigmatizojmë. Duhet dhënë këshilla e shëndetit seksual dhe riprodhues sic duhet. Nuk është një sëmundje që mbahet gjithë jetën sic është HIV. Këtu bëhet fjalë për tre javë," tha ai.
Është një sëmundje që transmetueshmërinë nuk e ka të lartë, trajtimi për të është simptomatik dhe nuk zgjat më tepër se tre javë.
"Si për cdo sëmundje infektive, qoftë dhe grip, do të thotë që për disa ditë duuhet që të tjerët të kenë kujdes. Ti qëndrojnë larg deri ditën që shërohen. Në vecanti janë dhe disa elemente në lëkurë të cilat krijohen si flluska që ndoshta më pas qelbësohen. Krijohen ato koret dhe bien. Këto janë më karakteristike, kryesisht në zonën e organeve gjenitale," tha ai.
Nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rezulton se sëmundja është pëerhapur në 75 shtete. Të infektuar janë mbi 16 mijë persona ndërsa deri më tani janë shënuar vetëm 5 humbje jete.