Infektivi gati në gusht, Manastirliu: Përgatitemi për përballimin e emergjencave

Spitali Infektiv, që ndodhet në rikonstruksion prej muajit mars, do të jetë gati brenda verës. Teksa inspektoi punimet, Ministrja Manastirliu tha se pritet një valë e re infektimesh me Covid.

Mbi 7 mijë persona janë infektuar me Covid-19 dhe 14 të tjerë kanë humbur jetën përgjatë 11 ditëve të muajit korrik.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke ju referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se pritet një valë e re infektimesh.

“Në këto ditë të nxehta kur po përballeni më një fluks të shtuar qytetarësh që kanë nevojë për shërbim emergjent shëndetësor, mjekët kanë bërë më të mirën për ta përballuar siç duhet këtë situatë. Barnat dhe materialet mjekësore por edhe e gjithë infrastruktura për diagnozën e pacientëve, duke nisur nga paneli i analizave dhe ekzaminimet imazherike i janë ofruar në kohë qytetarëve që kanë marrë shërbim në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT. Është një ekip fantastik prej më shumë se 23 mjekësh dhe 80 infermierësh që shërbejnë në këtë urgjencë, që padyshim ka një fluks jo të vogël”, tha Manastirliu.

Prej muajit mars të prekurit rëndë nga SARS-CoV-2 kanë marrë trajtim në Spitalin Covid 3, por ministrja Manastirliu bëri të ditur se brenda verës do të bëhet funksional Spitali Infektiv.

Kapaciteti i plotë i këtij spitali që është në rikonstruksion do të jetë 118 shtretër.

EMISIONET