Fluks pacientësh në Shkodër, Urgjenca pret deri në 250 qytetarë në ditë

Urgjenca e Spitalit të Shkodrës po pret një fluks pacientësh këto ditë të nxehta të verës. Sipas të dhënave nga spitali, atje paraqiten deri në 250 urgjenca në ditë, ndërsa temepraturat e larta janë shkaku kryesor që shkakton çrregullime të shëndetit tek qytetarët.

Muaji gusht ka shënuar një rritje të numrit të rasteve që paraqiten në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës, duke kapur shifra rekord deri në  250 pacientë në ditë.

Temperaturat e larta që kanë prekur territorin e vendit tonë i kanë dhënë efektet e tyre thonë mjekët specialist.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Këto ditë ka pasur një shtim të madh të numrit të vizitave. Kjo sidomos pas fillimit të muajit gusht me shtimin dhe të numrit të emigrantëve që vijnë, u shtuan dhe vizitat shumë," tha  Astrit Lahi, mjek i urgjencës, spitali rajonal Shkodër.

Grumbullimet në plazhe dhe rastet familjare, ku dasmat janë ato që dominojnë në këtë stinë, kanë dhënë efektin e tyre edhe tek shtimi i rasteve me covid.

"Simptomat kryesore janë kryesisht temperatura, të vjella, diarre. Ka dhe rritje të tensionit apo goditje cerebrale," tha ai.

Vera rrit edhe numrin e aksidenteve dhe gjatë këtyre muajve kanë qenë disa të tilla me pasoja të rënda në territorin e qarkut Shkodër.

"Kemi patur raste shumë të rënda, thuajse çdo ditë nga aksidentet. Nga më të lehtat, tek ato më të rënda. Kemi patur aksidente me automjete me pasoja për shëndetin dhe jetën," tha ai.

Ardhja e emigrantëve ka dhënë ndikimin e vet të drejtëpërdrejtë në këtë situatë të përkeqësuar, ku bluzat e bardha bëjnë apel për më shumë kujdes.

EMISIONET