"Alergjitë, frekuentimi i plazheve dhe Covidi", rriten rastet me inflamacion të syve, mjekët: Kujdes higjjenën

Alergjitë e verës, frekuentimi i plazheve dhe covid kanë shtuar numrin e personave që vuajnë nga inflamacioni i syve.

Për çdo ditë mjekja okuliste Nora Burda diagnostikon me konjuktivitet mbi 10 persona të moshave të ndryshme duke nisur nga foshnjat e deri te të moshuarit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Ka një fluks të rritur të inflamacioneve të syve, të sipërfaqes okulare që ne i quajmë konjuktivite që lidhen në këtë kohë me frekuentimin për një kohë të gjatë të pishinave ose në det," tha mjekja.

Skuqja, djegia apo enjtja e syve janë ndër simptomat që shkakton inflamacioni.

"Vihen re shpesh herë konjuktivite bakteriale që kanë si shenja klinike sklepat ngjyrë të verdhë, personi ndjen një ndjesi kruajtje, djegie në sy, bezdi të trupit të huaj, i ka sytë e skuqur e kapakët zakonisht të enjtur. Janë edhe konjuktividet alergjike që janë dhe ato të shpeshta, që vjen si pasojë e ndryshimit të klimës," tha ajo.

Okulistja Nora Burda thotë se vala e re e Covid po ashtu ka ndikuar në shtimin e fluksit të pacientëve në spitale.  

"Paraqiten me inflamacione të syve, me konjuktivide virale që kanë të bëjnë me agjentin inflamator që në rastin konkret është virusi i Covid-it dhe i kanë sytë e skuqur. I kanë me shumë sekrecione të lëngshme, me pak edemë. Ankohen gjithmonë që kanë ndjesi bezdie, gërvishtje në sy, por pa sekrecione të verdha," tha ajo.

Të tilla shqetësime janë të kurueshme dhe nuk dëmtojnë shikimin por mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar veçanërisht ndaj higjenës.

"Nuk duhet të prekin sytë dhe të prekin njerëzit e tjerë. Ti lajnë duart shpesh. Të kenë peshqirin e vet, të kenë këllëfin e jastëkut të vet. Pra në momentin që këto pacientë janë me inflamacion të sipërfaqes okulare, higjena personale duhet të jetë ekselente," deklaroi mjekja.

Me shfaqjen e simptomave të para rekomandohet që të kërkohen ndihma e mjekut për të shmangur çdo përkeqësim të mundshëm.

EMISIONET