Alarmante! Medikamentet e ankthit, pa rekomandime

Psikologia Entela Demiri në emisionin “Jeto me Orën” foli rreth mënyrave të trajtimit të ankthit.

Ajo theksoi se përdorimi i medikamenteve pa këshillimin e mjekut është një zgjidhje e gabuar.

Entela Demiri: Ankthi nuk mund te vetëkurohet, mund të marrësh informacion dhe të mësosh teknika, por duhet patjetër procesi që zhvillohet mes pacientit dhe psikologut. Shumë persona përdorin medikamente pa recetë mjekësore derisa e gjejnë veten të varur prej tyre dhe në fund i drejtohen psikologut.

Demiri ka ngritur alarmin për përdorimin e grupit të medikamenteve “Xanax” pa recetë mjekësore, ku sipas saj është kthyer në trend të të rinjve kohët e fundit.

Entela Demiri: Imazhe publike reklamojnë përdorimin e këtyre medikamenteve dhe ndikojnë pa dashur brezin e ri. Përdorimi i medikamenteve është hapi i fundit i një trajtimi psikologjik, pasi kur ato përdoren pa psikoterapi nuk arrijnë të kurojnë, por vetëm të qetësojnë përkohësisht.  Xanax krijon varësi deri në gradën ku nuk mund të bësh asgjë pa përdorimin e tij.

Sipas Demirit, kohët e fundit shoqëria po ndërgjegjësohet për rëndësinë e trajtimit të ankthit, megjithatë problem ngelet identifikimi i tij tek fëmijët të cilët e shfaqin në forma të ndryshme.

EMISIONET