300 urgjenca në ditë/ Fluks pacientësh në QSUT, dominojnë virozat dhe rastet me Covid

Asnjë ditë nuk është e qetë në Urgjencën e QSUT në Tiranë.

Në 24 orë aty paraqiten për të marrë ndihmën e parë rreth 300 persona.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Shmangia nga pacientët e qendrave shëndetësore të lagjes si dhe mbyllja e Urgjencës së Spitalit Infektiv janë ndër arsyet që kanë shtuar fluksin në QSUT.

"Unë bëj një apel për të gjithë bashkëqytetarë. Ju lutem shfrytëzojini mjekët e lagjeve nga ora 08:00-20:00. Është shumë mirë të merrni një konsultë aty.

Me përjashtim të gjendjeve të rënda që nuk mund të shkojnë dot aty për të marrë terapinë, por të tjerët…një temperaturë, një diarre, një të vjellë mund ta ezaurojnë atje," tha Hasani.

Shefi i Urgjencës, Eqerem Hasani thotë se këtë verë dominojnë virozat dhe rastet me Covid.

"Numri i tyre ka shkuar nga 70-80 deri në 100. Por nëse do të ishte urgjance infektive e hapur, ne do të na lehtësonte më shumë," tha ai.

Të shumta janë edhe emergjencat e tjera shëndetësore.

"Aksidentet cerebrale, insultet, paralizat. Kemi sëmundje kardiovaskulare, gastrohepatologjike, me hemorragji të rënda për jetën," tha ai.

Ndër personat që kërkojnë ndihmën e mjekëve dominon mosha e tretë. Doktor Hasani thotë se pavarësisht fluksit, pacientët kanë marrë shërbim në kohë.

"Problemin e kam vetëm tek hapsira fizike, pra ku do të vendoset i sëmuri sapo hyn në urgjencë. Ka aludime nga më të ndryshme.

Shpesh thonë: Kam një orë këtu. Kurrën e kurrës, jua premtoj dhe jua siguroj. Kush hyn këtu, me përjashtim të rastit urgjent që hyn me barrelë, të tjerët marrin shërbim brenda 7 minutash," tha mjeku.

Në Urgjencën e QSUT janë të angazhuar rreth 80 infermierë dhe 16 mjekë.

EMISIONET