IKMT rrafshoi 20 objekte në zonën e Unazës së Re në Tiranë mëngjesin e së martës. 50-vjeçari, Ylli Kllezi, banor i zonës, thotë se shembja e dyqanit ku punonte e ka lënë atë dhe familjen e tij pa të ardhura ekonomike, duke ua bërë atyre jetesën dhe më të vështirë. Kllezi dhe banorë të tjerë të zonës, njëherësh pronarë biznesesh, akuzojnë IKMT-në për standard të dyfishtë në përzgjedhjen e objekteve të shembura.

Këto rrënoja ishin e vetmja mundësi fitimi për familjen e Ylli Kllezit deri të martën në mëngjes kur objekti u shemb nga punonjësit e IKMT-së.

Mes lotësh,50-vjeçari tregon se është i pafuqishëm përballë padrejtësive.

Edhe pse shembi vetë pjesën e pronës së tij që prekej nga ndërhyrja në zonë, kjo nuk mjaftoi, pasi fabdromat e hodhën poshtë dyqanin me të cilin mbante familjen.

“Një muaj kam që pagova 1 milion e ca lekë, ndoshta atyre nuk u duket gjë, por për mua, për hallet që kam, janë shumë. Dy muaj rresht jam munduar vjet të takoj zotin Erion Veliaj, shtator-tetor, nuk ma merr mendja të mos e ketë marrë vesh.Të gjitha dyert i kam pasur të mbyllura.”

Mes lotësh,Ylli Kllezi, thotë se tashmë nuk ka më të ardhura për tu kujdesur dhe për djalin e tij, i cili vuan nga autizmi.

“E kisha lëshuar me qira, ai më mbante.Hallet dhe kusuret i kisha hequr, tani nuk e di. Atë stres dua ta heq, dua të jem i qetë shpirtërisht kur hyj te çuni 15 vjeç që e kam autik.Vetë jeta, sa më shumë po rritet po më distancon nga njerëzit, nga shoqëria që ti përkushtohem fëmijës.”

Thotë se ajo që ju bë ishte e padrejtë.

“Ku të mbytem, nuk të hapet asnjë derë! Këtu të groposkan institucionet! Tre standarde kam marrë vesh, ai që ka miliona euro ja shtojnë më shumë milionat, kush ka qindra e mijëra e bëjnë milionin, kurse unë që jam 11 metra larg zgjerimit të rrugës vijnë dhe e hedhin projektin poshtë se nuk kam lekë, nuk kam fuqi, nuk kam pushtet.”

Në orët e para të mëngjesit, IKMT shembi 20 objekte në zonën e Astirit me qëllim për ti hapur rrugë ndërtimit të Lotit të Tretë të aksit rrugor të Unazës së Madhe.