Ish-deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, thotë se qeveria nuk ka asnjë strategji për tu përballur me pandeminë e koronavirusit.

Duke komentuar vendimin për mbajtjen e detyrueshme të maskës edhe në ambjente të jashtme, Shehu thotë se Kryeministri përveç se nuk jep zgjidhje po kërcënon tashmë qytetarët edhe me ndërprerje të energjisë elektrike.

Shehu: Nuk pashë asnjë strategji përveç kërcënimit me gjoba deri në ndërprerje të energjisë pasi do të vihet gjoba të faturën e dritave. Po çfarë mase ka marrë qeveria të pajisë qytetarët me maska? Ka tipe maskash që duhen vendosur dhe varet nga mosha. Në vende të tjera shteti ofron nga një maskë gratis për shtresa të gjera të popullsisë, pastaj ofron maska për shtresa të tjera me çmime të kontrolluara. Në Italia është 0.5 euro maska, në Spanjë 0.2 euro.

Sipas Shehut, sjellja e kryeministrit me qytetarët e tij është si bariu me delet.

Shehu: Kemi një Kryeministër që përdor terrorin, njëherë tallet me maskat dhe pastaj kërkon përsëri me terror të vendosë maskat. Nuk ka të bëjë me një kope delesh që bariu me shkop i tremb dhe shkojnë ku duan. Maska është njëri element por janë edhe masa të tjera për të cilin kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Jemi vendi me testimet më të ulëta në Europë.

Për Ora News, Shehu thotë se maskat artizanale nuk kanë asnjë efekt mbrojtës kundër Covid.

Shehu: Këto i përdorin në Afrikën qëndrore, çfarë efekti kanë? Maskat fillojnë që nga ato kirurgjikale deri te ato më speciale.

Por ndërsa qeverinë e sheh të paaftë në menaxhimin e pandemisë, ai apelon qytetarët që të mos nënvlerësojnë rrezikun e sëmundjes.

Shehu: Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, nuk është shaka por një realitet që do të zhduket vetëm me vaksinën.Qytetarët duhet të respektojnë distancimin social dhe fizik.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana