Për ish-deputetin e PD dhe mjekun Tritan Shehu, situata e Covid-19 në vend ka dalë jashtë kontrollit.

Në një lidhje përmes Skype për emisionin ‘Ditë e Re’, në ‘RTV Ora’, Shehu tha gjendja paraqitet katastrofale për shkak të keqmenaxhimit dhe propagandës së qeverisë.

Tritan Shehu: ”Covid-19 është jashtë kontrollit në të gjithë Shqipërinë. Është në Gjirokastër, në Tepelenë, në fshatra. Asnjë nuk mund të japë të dhëna të plota sepse nuk ka të dhëna të plota. Nuk ka testime, është një kujdes parësor jashtë funksioni. Jo për faj të personelit por sepse është lënë i tillë. Është një spital i Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit të mbyllur, ku nuk mund të shërbehet për pacientët si qendra të tilla spitalore.

Në qarkun e Gjirokastrës ka vetëm një reanimator. Shikoj se është një gjendje e rendë, katastrofale që karakterizon të gjithë vendin tonë në përballjen me këtë virus, si pasojë e një amullie të plotë, e keqmenaxhimit, dhe të propagandës. I shikoni numrat si janë sot, shumë herë më të larta se në mbyllje dhe në hapje.  Gjithë strategjia është e dështuar.”

Tritan Shehu në lidhje për emisionin Ditë e Re në RTV Ora

Sipas tij, nuk ka një valë të dytë të Covid-19 në vend, por është vala e parë e cila u menaxhua keq.

Tritan Shehu: ”Nuk ka valë e dytë, është vala e parë që u menaxhua keq. Është periudha e shkurtit deri më sot që nuk ka pasur asnjë ndërprerje, e cila ka vazhduar e tillë për shkak të menaxhimit tepër negativ, shumë jo profesional. Rama dilte 3-4 herë në media dhe nxirrte tanket në rrugë në mënyrë më absurde kur kishte të bënte me një virus. Sot për t’u shmangur asaj dëmit të madh që shkaktoi, është fshehur.”

Në lidhje me hapjen e shkollave, Shehu tha se nuk janë marrë masa, dhe se duhet të kryhen rreth 2,500 teste çdo ditë.

Tritan Shehu: ”Nuk di çfarë masash janë marrë, shikoj që nuk janë marrë masa. Duhej një shumë për hapjen e shkollave. Çdo gjë kërkon buxhetin e saj. Kudo shtohen testimet me hapjen e shkollave. Ne jemi nën 500 testime në të gjithë Shqipërinë kur së paku duhen bërë 2,500 në ditë. Asgjë nuk shoh që po bëhet, Ka vetëm një propagandë. Kudo në Shqipëri gjendja është e njejtë. Me gjendjen që jemi sot, dhe me virozat stionore, situata do jetë më konfuze.”

Ish-deputeti mendon se e rëndësishme është vaksinimi kundër gripit.

Tritan Shehu: ”Ajo që dallon gripin e zakonshëm me Covid-19 ësht% testimi. Por ne testojmë shumë pak, nën 500 të tilla. Kujdesi shëndetësor në rrethe janë jashtë funksionit. Jemi të rrezikuar. Element tjetër është edhe vaksinimi. Duhej të realizohej vaksinimi i popullsisë kundër gripit.”

Intervistoi në studio Arjon Muça, përgatiti për online Renato Çaushi.