I ftuar në Ora News, kreu  i LZHK-së, Dashamir Shehi u shpreh se në qarqet e vogla nuk mendon se do të ketë kalime nga fundi i listës së kandidatëve në fillim.

Shehi tha se edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë ndryshime dhe se lista e kandidatëve do të jetë 95% ajo që ka propozuar kryetari i partisë.

Shehi: Nuk besoj se ndonjëri nga fundi i listës mund të mbledhë aq vota sa të dalë në fillim. Sidomos në qarqet e vogla. Por disa njerëz me një lloj vetësakrifikimi janë afruar edhe për të shkuar në vende të tilla që nuk fitohet, por kontributi është i madh dhe i domosdoshëm. Pa këta ushtarë të heshtur në fundin e listës është e zorshme për të marrë mijë vota për të formuar mazhorancën e re.

Unë do të doja që lista të ishte e hapur totalisht, por kështu e deshi PS-ja. Ky nuk është sistemi më i mirë, sepse ndryshimi është minimal. Edhe këtë herë nuk do të ketë ndryshime. Lista e kandidatëve do të jetë 95% ajo që ka propozuar kryetari i partisë. Ky është realiteti tani, por lista do të tregojë dhe populli ka në dorë të votojë atë që është më i zoti dhe i pëlqyeshëm.

Shehi shtoi se lidhur me LSI-në, opozita ka bërë një kompromis duke dalë në dy lista, duke ruajtur kështu edhe profilin e majtë të kësaj partie.

Shehi: Unë pretendoj që te jem deputet në Tiranë dhe i ftoj qytetarët e qarkut që të votojnë atë që është më i mirë i listës. Ta gjykojnë ata vetë, por unë mendoj se kam lënë diçka pas në jetën politike të cilën do të vlerësojnë qytetarët. Po të ishte opozita në një sigël të vetme, në sensin moral të thjeshtësimit të votës do të ishte më mirë sepse do të ishte e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës. Kjo çështje ka të mirat dhe të këqijat e veta. Me dy lista, kemi një shans pasi në vend të 150 veta, do të kemi 300 që konkurrojnë. Ne kemi bërë një kompromis me veten tonë për të ofruar një alternativë, por edhe t’i lëmë partinë në profilin e vet ideologjik.