Kombet e Bashkuara njoftuan se 50 vende kanë nënshkruar Traktatin e Ndalimit të Armëve Bërthamore. Kjo nismë e vlerësuar nga aktivistët kundër armëve bërthamore, është ndërkaq shumë e kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së António Guterres përshëndeti punën e shoqërisë civile dhe shtoi se dokumenti hyn në fuqi nga 22 janari i vitit 2021.

Ky dokument tërheq vëmendjen për pasojat katastrofike që sjell përdorimi i çdo lloj arme bërthamore. Guterres e përshkroi traktatin si një fitore të të mbijetuarve të bombardimeve bërthamore, shumica e të cilëve u angazhuan për ta ratifikuar dokumentin.

“Ky çast vjen 75 vjet pas shpërthimeve të tmerrshme bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki dhe në përvjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara që e vuri çarmatimin bërthamor në foks të punës së vet,” tha Beatrice Fihn, drejtore ekzekutive e Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Bërthamore dhe një fituese e çmimit Nobel për Paqen në vitin 2017.

Traktati u kërkon që të gjitha vendeve ratifikuese që “asnjëherë dhe në asnjë rrethanë … të mos zhvillojnë, testojnë, prodhojnë ose të grumbullojnë armë dhe pajisje të tjera shpërthyese bërthamore”.

Ai gjithashtu ndalon çdo transferim ose përdorim të armëve ose pajisjeve shpërthyese bërthamore. Sapo të hyjë në fuqi janarin e ardhshëm, të gjitha vendet ratifikuese, do të jenë të detyruara t’i zbatojë këto zotime.

Shtetet e Bashkuara u shkruan vendeve nënshkruese duke thënë se administrata Trump beson se po bëjnë “një gabim strategjik” si dhe i nxiti të heqin dorë nga ratifikimi i traktatit.