ShBA, tjetër viktimë nga protestat në Portland

ShBA, tjetër viktimë nga protestat në Portland

Protestat më shumë se 90-ditore kundër policisë dhe racizmit në qytetin amerikan të Portlendit kanë prodhuar skena të reja krimi me pasoja fatale për jetën.

Policia lokale njoftoi se një person mbeti i vrarë me armë zjarri në kraharor gjatë një demonstrate në mbështetje të presidentit Donald Trump.

Personi mendohet se u sulmua nga pjesëtarë të një lëvizjeje të majtë e njohur si lëvizja antifashiste, e cila si kauzë kryesore ka luftën kundër autoritarizmit qeveritar dhe ekstremizmit të djathtë.

Ndërsa autori ende nuk është identifikuar, pas ngjarjes pjesëtarë të grupit antifashist u shprehën se nuk ndjenin keqardhje për viktimën.

Incidenti erdhi pasi një karvan me makina me flamujt amerikanë dhe me parulla elektorale për presidentin Trump parakaluan të shtunën në qendrën e Portlendit.

Kortezhi konservator provokoi turmën e të majtëve duke i bërë të lëshonin objekte të forta ndaj automjeteve, shpeshherë duke përfunduar edhe në konfrontime fizike.

Shumë godina e biznese vijojnë të sulmohen nga ekstremistët antifashistë dhe nga aktivistët për të drejtat e afroamerikanëve, me gjithë apelin e autoriteteve dhe familjarëve të viktimave për ndaljen e dhunës dhe vandalizmave në emër të të afërmve të tyre.

Vrasja e fundit kulmon një javë me incidente vdekjeprurëse në vazhdën e protestave amerikane që nisën të hënën me zbrazjen e 7 plumbave nga policia në trupin e një afroamerikani dhe vazhduan të martën me ekzekutimin e dy protestuesve nga një 17-vjeçar.

Trazirat disamujore nuk ndalin që nga vrasja e afroamerikanit Xhorxh Floid në muajin maj dhe janë bërë edhe temë politike në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti Trump të martën ka planifikuar të vizitojë një qytet të Uiskonsinit për të takuar drejtuesit e policisë dhe për t'i kërkuar atyre ruajtjen e sigurisë dhe paqes sociale.

EMISIONET