Një variant i ri i koronavirusit i zbuluar fillimisht në Britaninë e Madhe po rrezikon të përhapet gjerësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se virusi i ri mund ta arrijë pikun e infeksionit që brenda muajit mars, nëse nuk ndërhyhet.

Presidenti i zgjedhur, Xho Biden, është vetë në shtresën e personave të rrezikuar nga sëmundja infektive, ndaj ftoi qytetarët të bëjnë vaksinën kundër saj.

“Që të vaksinojmë sa më shumë njerëz na duhen më shumë qendra komunitare vaksinimi dhe më shumë punonjës shëndetësorë që të merren me vaksinat dhe me gjurmimin e kontakteve. Por e vërteta e hidhur është se fillimin do ta kemi keq. Masat do duan kohë që të shfaqen te statistikat, dhe ato nuk janë veç shifra, por janë jetë njerëzish,” tha Biden.

Presidenti demokrat që do marrë detyrën më 20 janar i ka vënë objektiv qeverisë së tij të vaksinojë 100 milionë amerikanë në 100 ditët e para të qeverisjes.

Ai tha se vaksinimet do të kryhen pa diskriminuar asnjë person nga ngjyra e lëkurës apo nga pozita shoqërore.

Deri tani, vaksinën e kanë bërë pak më shumë se 12 milionë qytetarë, ndërkohë që vazhdon të përkeqësohet bilanci i viktimave, tashmë në nivelin e 392 mijë jetëve të humbura.

Më i prekur është shteti i Kalifornisë, ku vdekjet janë rritur me 1 mijë për qind nga muaji nëntor.

Një ditë më parë, demokrati prezantoi edhe një paketë financiare me vlerë 1,9 trilion dollarë për të ndihmuar familjet dhe bizneset e goditura nga pandemia e fundit.