SHBA redukton prezencën ushtarake në Afganistan e Irak

SHBA redukton prezencën ushtarake në Afganistan e Irak

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka urdhëruar reduktimin e forcave ushtarake në Afganistan dhe Irak me gjithë rezervat brenda partisë së tij dhe NATO-s.

Kontingjenti i ushtarëve në Afganistan do ulet nga 4.500 në 2.500 pak ditë pas ardhjes në fuqi të demokratëve, ndërsa një ulje modeste me 500 ushtarë do pësojë edhe kontingjenti në Irak, njoftoi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Kristofer Miller.

"Brenda 15 janarit 2021, trupat tona në Afganistan do jenë në nivelin 2.500. Në të njëjtën datë, 2.500 ushtarë të tjerë do të qëndrojnë edhe në Irak."

Shtëpia e Bardhë shtoi se trupat amerikane shpresohet të tërhiqen tërësisht nga rajoni në muajin maj.

Megjithatë vendimi është pritur me skepticizëm pasi mbetet e paqartë situata e brendshme politike pas zgjedhjeve presidenciale, nëse administrata e re i kalon demokratëve të Xho Bajdenit.

Kryetari i Senatit, republikani Miç MekKonell, është i mendimit që vendimi të shtyhet në kohë.

"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në muaj e ardhshëm të mos kemi ndryshime ekstreme në politikën e mbrojtjes apo të jashtmen. Unë publikisht e kam thënë se një tërheqje e shpejtuar e trupave nga Afganistani dhe Iraku do të ishte një gabim."

Zyrtarët amerikanë dhe ata afganë raportojnë, ndërkohë, për një rifuqizim të forcave talibane në rajon, të cilat po krijojnë lidhje me grupet e tjera militante si Al-Kaeda.

Trupat amerikane luftojnë në Afganistan që nga viti 2001 pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, një konflikt që është më i gjati në historinë e vendit dhe ka lënë pas mijëra amerikanë dhe forca aleate të vrarë.

Bota Lajme SHBA trump afganistan irak prezence ushtarake

EMISIONET