Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar projektligjin në vlerë prej 1.9 trilion dollarësh, përmes të cilit do të ndihmohen amerikanët e prekur nga pandemia e koronavirusit.
Përfitues do të jenë familjet me të ardhura të ulëta por edhe bizneset e vogla.
Dy demokratë iu bashkuan republikanëve dhe kundërshtuan nismën e presidentit amerikan, Joe Biden. Pas kësaj, drafti do të paraqitet në Senat, ku demokratët dhe republikanët kanë numër të barabartë votash.
Votimi përfundimtar parashikohet të zhvillohet javën e ardhshme.
Debate janë zhvilluar mbi propozimin për dyfishimin e pagës minimale e cila shkon në 15 dollarë në orë.
Po ashtu kërkohet rritja e numrit të testimeve kundër sëmundjes COVID-19 dhe të vaksinave.
Votimi i këtij projektligji vjen në javën e njëjtë kur SHBA-ja kaloi shifrën prej 520.000 viktimave nga koronavirusi ndërsa janë ende duke u kuruar 9 milionë shtetas.
Presidenti Biden e ka quajtur këtë projektligj si “Plani për Shpëtimin e amerikanëve”, por republikanët thonë se ky projektligj është i mbushur me prioritetet e demokratëve, që nuk janë të lidhura me pandeminë.