Pandemia e koronavirusit mendohet se ka ndikuar që rreth 300 mijë amerikanë më shumë të humbin jetën në muajt janar-tetor të këtij viti.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportoi se 66 përqind e vdekjeve u provokuan drejtpërdrejt nga kovidi i ri.

Në bilancin zyrtar, deri tani mbi 221 mijë persona në Amerikë kanë mbetur viktima të sëmundjes infektive.

Në raportin e posaçëm që u publikua të martën, ekspertët vunë re një trend të pazakontë vdekshmërie krahasuar me vitet 2015 deri 2019.

Ndërsa moshat e mëdha përbënë shumicën e rasteve, rritje më e lartë vdekshmërie u raportua ndër moshat 25 deri 44 vjeç, gjatë muajve maj-gusht.

Pjesëtarët e komunitetit afroamerikan dhe më hispanik rezultojnë të prekurit, këta të fundit me 53 përqind të totalit të vdekjeve, ndërkohë njerëzit me ngjyrë 33 përqind mbi mesataren, aziatikët, 36 përqind, dhe shumica e popullatës së bardhë, 11,9 për qind më shumë të vdekur nga mesatarja.

Raporti thekson se ndërsa kovidi-19 mbetet një nga shkaktarët kryesorë, te vdekshmëria kanë ndikuar edhe sëmundjet e zemrës, të frymëmarrjes, diabetit dhe sëmundjet e moshës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë vendin e parë në botë për rastet e infeksionit nga koronavirusi dhe për vdekjet nga pandemia, bilanc ky që po kritikohet  politikisht nga opozita para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.