SHBA: Kuvendi Kombëtar i Demokratëve, mbështetje për Joe Biden

SHBA: Kuvendi Kombëtar i Demokratëve, mbështetje për Joe

Demokratët amerikanë kanë hapur Kuvendin e tyre Kombëtar për të zyrtarizuar mbështetjen pas kandidatit të vet për president, Joe Biden.

Ish-zonja e parë e vendit, Mishel Obama, thotë se Donald Trump është presidenti i gabuar për vendin.

Opozita amerikane provoi të hënën se qëndron e përbashkuar në misionin për ta larguar nga karrigia e presidentit shefin aktual të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit.

Dita e parë e Kuvendit Kombëtar të Demokratëve u mbajt virtualisht dhe pa praninë e mbështetësve në rrethanat e një pandemie që ka vrarë mbi 170 mijë amerikanë deri tani.

Gjatë tri ditëve të ardhshme, personalitetet më të larta të partisë pritet të zyrtarizojnë kandidaturën e ish-zv.presidentit, Joe Biden, për garën drejt zyrës ovale.

Ish-gruaja e presidentit të parë me ngjyrë në vend, Mishel Obama, u tregua në mbrëmje më e ashpra nga të ftuarit me fjalimin e saj kundër presidentit Trump.

"Dua të jem e sinqertë dhe e qartë fare. Donald Trump është presidenti i gabuar për vendin. E kuptoj që mesazhi im nuk do shkojë në veshin e gjithkujt, sepse jetojmë në një komb thellësisht të ndarë, dhe unë vetë që flas jam një grua me ngjyrë. Por më besoni, këtë herë duhet të bëjmë ndryshimin, t'i japim fund këtij kaosi, ta votojmë Joe Biden."

Në kuvendin e demokratëve të hënën pati edhe performanca muzikore me mesazhe të forta kundër racizmit, siç e dëshmoi edhe prania e vëllait të George Floyd, afroamerikanit të vrarë në muajin maj nga një polic, dhe ngjarje e cila nxori përsëri në pah tensionet racore në vend.

Gjendja ekonomike, homazhet për viktimat e koronavirusit, denoncimi i dhunës policore dhe evidentimi i të metave të presidentit Trump dhe rreziqet që ai i kanos demokracisë ishin temat që dominuan edhe ligjëratat e demokratëve të tjerë.

Në një tubim me përkrahësit e vet në shtetin e Mineapolisit, Trump i thumboi rivalët demokratë për formatin e sajuar, duke u kapur me ironi pas faktit se të gjitha fjalimet e folësve ishin të regjistruara dhe të mirëmenduara për të provokuar ndjenjat e elektoratit blu.

Ai shtoi se qëndrimet e ekstremit të majtë të cilat Joe Biden  synon të përforcojë nuk kanë për të pasur vend në Shtëpinë e Bardhë.

"Pse nuk e paskam ditur, që edhe unë ta regjistroj fjalimin tim javën tjetër. Do sigurohem që të jetë perfekt, çdo fjalë. Do bëj pesë-gjashtë prova dhe do i them stafit 'zgjidhni më të mirin'. Një fitore e Bajdenit do e zëvendësojë lirinë amerikane me fashizmin, sepse të majtët janë fashistë."

Ndërsa Kuvendi i Demokratëve përfundon të enjten, republikanët nisin mbledhjen e tyre të hënën e ardhshme, ku pritet të ashpërsohen sulmet ndaj kundërshtarëve politikë.

Në një sondazh të fundit të publikuar nga CNN, kandidati demokrat për presidenti Joe Biden dhe zëvendësja e tij Kamala Harris, parashikohet që më 3 nëntor të marrin 50 për qind të votave të amerikanëve, kundrejt 46 %  për dyshen Trump dhe zëvendësin e tij, Mike Pence.

EMISIONET