Pas disa muajve paralajmërim, Amerika i ka vendosur sanksione Turqisë për shkak të blerjes së sistemit kundërajror rus “S-400”.

Sekretari i Shtetit, Majk Pompeo, tha se SHBA-ja nuk mund të tolerojë aleatët e NATO-s, si Turqia, që të lidhin marrëveshje me Rusinë për sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës.

Sanksionet përfshijnë ndalimin e eksporteve ndaj agjencisë turke që merret me fuqizimin e industrisë kombëtare të mbrojtjes, dhe ngrirjen e aseteve financiare të drejtuesve të saj.

“Ia kemi bërë të qartë Turqisë në disa raste, në nivelet më të larta, se sistemi S-400 rrezikon teknologjitë dhe personelin ushtarak amerikan, ndërkohë që financon sektorin rus të mbrojtjes duke i dhënë akses në industrinë turke të forcave të armatosura. Turqia vazhdoi prokurorimin dhe testimin e sistemit edhe pse kishte alternativa të pajtueshme për NATO-n,” deklaroi kryediplomati amerikan.

Ministria e Jashtme turke e quajti të padrejtë vendimin e SHBA-së, dhe kërkoi që çështja të adresohet me dialog dhe diplomaci duke marrë parasysh aleancën mes tyre.

Rusia iu bashkua kritikave ndaj Uashingtonit duke i cilësuar sanksionet një tjetër qasje arrogante ndaj së drejtës ndërkombëtare, ndërsa krah Ankarasë doli edhe Irani.

Vitin e kaluar, Turqia mori në dorëzim sistemin rus të mbrojtjes ajrore pasi një marrëveshjeje 2 miliardë e gjysmë dollarë me Kremlinin.

Si kundërpërgjigje, SHBA-ja nisi masat shtrënguese duke përjashtuar vendin nga programi i trajnimit dhe blerja e avionëve të vet luftarakë, “F-35”.

SHBA-ja e vlerëson sistemin rus tokë-ajër “S-400” të rrezikshëm pasi është i aftë të anashkalojë mbrojtjen e avionëve më modernë të flotës së NATO-s.