SHBA, dëme katastrofike nga uragani ''Laura''

SHBA, dëme katastrofike nga uragani ''Laura''

Banorët e Luizianës dhe ushtria amerikane kanë nisur pastrimin e qyteteve nga dëmet katastrofike të uraganit "Laura" që përshkoi shtetin jugor javën e kaluar.

Stuhia e fuqishme në gjithë vendin u mori jetën të paktën 16 personave, të zënë poshtë pemëve apo banesave.

Për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike, më shumë se gjysma mbetën viktima të helmimit nga gazrat e gjeneratorëve të përdorur brenda ambienteve të shtëpive apo bizneseve për t'i ruajtur nga era e fortë.

Në fundjavë, presidenti Donald Trump vizitoi zonat në gjendjen e jashtëzakonshme.

Guvernatori i shtetit krah tij tha se "Laura" ishte stuhia më e fortë që ka goditur Luizianën, edhe një kategori sipër uraganit "Katrina" që rrënoi vendin 15 vite më parë.

Në kulmin e vet mëngjesin e së enjtes, "Laura" regjistroi erëra me shpejtësi 240 kilometra në orë, dyfishin e shpejtësisë së uraganit "Katrina" kur zbarkoi në qytetin juglindor të Nju-Orlinsit.

Forca e uraganit të fundit ishte e tillë saqë sipas ekspertëve ndryshoi edhe rrjedhën e ujërave lokalë ndërsa me hyrjen në Teksas, shkuli çatitë e godinave dhe i bëri rrugët të pakalueshme.

Edhe pse stuhia kaloi pa pasojat e parashikuara nga meteorologët, autoritetet parlajmërojnë se në kushtet e një vere të nxehtë, banorët rrezikojnë furnizimin me ujë dhe energji elektrike për javë me radhë.

Në kontinentin amerikan, furtuna tropikale u kushtoi jetën rreth 50 personave, me bilancin më të rëndë në republikën e Haitit, 31 viktima dhe disa të zhdukur, 4 viktima në Republikën Domenikane dhe dëme të shumta materiale në Kubë dhe në Xhamajkë.

EMISIONET