SHBA: Biden, shpresa e demokratëve

SHBA: Biden, shpresa e demokratëve

Xho Bajden është zyrtarizuar si kandidati për president i Partisë Demokratike në SHBA, duke marrë bekimin e ish-kryeshtetarëve demokratë të vendit.

Partia Demokratike amerikane i ka besuar ish-zv.presidentit, Xho Bajden, garën për karrigen më të lartë të shtetit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Kandidatura e politikanit veteran për Shtëpinë e Bardhë u pranua të martën nga demokratët e të 50 shteteve amerikane në kuadër të ditës së dytë të Kuvendit Kombëtar.

Personalitetet e partisë, presidentët Bill Klinton dhe Xhimi Karter, dhe ish-Sekretari i Shtetit, Kolin Pauell, i Partisë Republikane kundërshtare, thanë se ata shohin te 77-vjeçari Bajden shpresën se mund ta mposhtin kreun aktual të shtetit, Donald Trump.

"Në një kohë si kjo, Zyra Ovale duhet të jetë një vendkomandë eprore, jo një vendkomandë kaosi si tani. Partia jonë është e bashkuar për një president që i përvishet punës, praktik, që i realizon gjërat, një njeri me mision: që merr përgjegjësi, nuk e fsheh fajin; që përqendrohet, nuk sorollatet; që bashkon, nuk përçan."

Kjo është hera e tretë që Biden garon për president pas tentativave të vitit 1988 dhe 2008.

Një ditë më parë ai u shfaq përkrah bashkëshortes së tij, ndërsa të enjten politikani demokrat pritet të mbajë fjalimin në Kuvendin e partisë, ku do të fokusohet te idetë për të kaluar situatën me pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike dhe pajtimin social pas protestave disamujore në vend.

Ndërkaq, rivali i tij, presidenti Trump, vazhdon ta etiketojë kundërshtarin si një vegël të radikalëve të majtë.

Gjatë një tubimi me simpatizantët, kreu i shtetit tha se ai është i vetmi president që ka përmbushur më shumë sesa premtimet që bëri në fushatën e 2016-ës, dhe ftoi votuesit ta shohin ditën e zgjedhjeve të nëntorit, si ditën më të rëndësishme të jetës së tyre.

Sondazhet vazhdojnë të favorizojnë demokratin Biden pak muaj para garës, edhe pse republikani Trump e ka ngushtuar rezultatin në javët e fundit.

EMISIONET