Deputetja, Rudina Hajdari, kërkon mbledhjen e Këshillit Politik të martën, për të arritur një kompromis për reformën zgjedhore e cila u rikthye në Kuvend nga presidenti Ilir Meta.

Deputetja e opozitës së re, thotë se konsensusi duhet të arrihet për të fuqizuar qytetarët, duke iu dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve.

“Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interes e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng”- shkruan Hajdari.

Hajdarit thotë se qytetarët shqiptarë do të ndëshkojnë ata që vazhdojnë “avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit”.

Kërkesa e Hajdarit vjen pasi presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të miratuara nga shumica pa mirëkuptimin e opozitës në Këshillin Politik.

Sipas Metës, ato janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me standartet europiane europiane, si dhe u bënë në mënyrë të njëanshme dhe pa një konsensus gjithëpërfshirës.

Në një material shoqërues mbi 80 faqe, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shpjegon me detaje dhe rresht pas rreshti, se pse, sipas tij, ndryshimet e fundit që shumica socialiste bëri në Kodin Zgjedhor, bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe me parimet themelore të demokracisë europiane.

Meta thotë se këto ndryshime të rregullave zgjedhore cenojnë parimet demokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme; ato u realizuan në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndër- qeveritare.

Letra e plotë e Hajdarit

Të nderuar kolegë,

Presidenti i Republikës e ka rikthyer për shqyrtim Projektligjin për ndryshimet në Kodin zgjedhor dhe në gjykimin tim kjo është një mundësi e mirë për tu riulur edhe njëherë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar se si mund të arrijmë një produkt i cili të gëzojë jo vetëm mbështetjen e një pale, siç është rasti aktual, por mbi të gjitha mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Në 30 vite, reformat zgjedhore në këtë vend kanë shërbyer vetëm e vetëm për të përfaqësuar interesat e pak njerëzve, duke e deformuar vullnetin e qytetarëve, duke e dobësuar fuqinë e tyre, duke deformuar kuptimin e sovranitetit të popullit e duke prodhuar si rrjedhojë kriza politike të cilat e kanë mbajtur vendin peng.

Kur u bëra pjesë e Këshillit Politik, mendova se kishim një shans që ta ndalonim këtë traditë të shëmtuar dhe për herë të parë të prodhonim një produkt i cili do ti shërbente shumicës së qytetarëve e jo 2 po 3 politikanëve.

Prandaj, duke shfrytëzuar mundësinë që kemi përpara, ju ftoj që ditën e martë, në orën 11:00, të riulemi në tryezë dhe të arrijmë një kompromis, ku baza duhet të jetë fuqizimi i qytetarëve duke i dhënë përparësi absolute në formulën e përzgjedhjes së deputetëve, votës qytetare e jo preferencës së kryetarëve.

Kjo do të ishte një sinjal nga ana juaj, se keni në fokus qytetarët e jo interesat e ngushta personale. Do të tregonte se ju intereson më shumë Shqipëria e jo partia.

Qytetarët shqiptarë janë duke na ndjekur me shumë vëmendje dhe jam e bindur se do ndëshkojnë rëndë ata të cilët vazhdojnë avazin e vjetër të manipulimit dhe mashtrimit për hir të pushtetit.

Duke shpresuar në një reagim pozitiv, Rudina Hajdari