Në një intervistë për RTV Ora, pedagogu Endri Shabani  nga Nisma Thurja tha se krerët e partive nuk e duan hapjen e listave se nuk duna të prishin biznesin e tyre brenda partisë.

Sipas Shabanit, Rama e mbështet hapjen e listave pasi qytetarët e kërkojnë, jo sepse është pro kësaj nisme.

Endri Shabani: Hapja e listave është një ndër kërkesat tona, por hapja e pjesshme nuk është hapje listash. Asnjë kryetar partie nuk do që të hapen listat, se ky është një biznes, sepse të pothuajse të gjitha vendet në administratën publike shiten. Po shihen edhe në parlament vendet në listë. Pronarët e partive nuk duan hapja të listave se u prishet biznesi.

Nëse Rama e mbështet hapjen e listave, gjë që duhet parë deri në fund, ai e bën për të vetmen arsye pasi qytetarët e kërkojnë. Nëse krerët e partive veprojnë hapur kundër kësaj kërkesa të shoqërisë, atëherë dikush tjetër, që përfaqëson këtë kërkesë të qytetarëve do të futet në politikë që t’i përfaqësojë. Prandaj ai del dhe artikulon sikur është pro hapjes së listave se do që t’i përfaqësojë vete, se po të ishte për t’i hapur do t’i kishte hapur me kohë.

Për Shabanin, kryetari i partisë vendos për karrierën politike të anëtarëve të partisë.

Endri Shabani: Ai që vendos karrierën politike të anëtarëve të partisë, ai kontrollon edhe partinë. Në vitin 2017 Basha thoshte se nuk do të futej në zgjedhje, dy veta ishin kundër, dhe nuk u futën në lista më ata. Ashtu nxori edhe Rama Blushin e Hafizin. Nëse kryetari ka në dorë karrierën politike, sigurisht që nuk guxon më njeri brenda partisë që t’i dalë kundër kryetarit.

Shabani tha se nuk ka më zgjedhje në parti, vetëm formalitete, duke u kthyer sipas tij në parti autokratike.

Endri Shabani: Sot partitë janë anti-kushtetuese, ku kushtetuta kërkon që brenda partive të ketë zgjedhje. Zgjedhjet janë totalisht formale, biles Rama e ka hequr fare këtë formalitet, nuk bën më zgjedhje. Këto janë parti autokratike. Kryetari i partisë kështu ka në dorë të gjithë karrierën politike të anëtarëve të partisë. Një tezë e kryetarëve të partive është që qytetarët nuk duhen besuar. Unë nuk e besoj këtë.

Ndërsa referuar angazhimit politik të Nismës Thurja, Shabani tha se është diçka që po diskutohet dhe do të merret një vendim.

Endri Shabani: Nisma Thurja po harxhon një energji shumë më të madhe se sa do të kishte harxhuar po të ishte e angazhuar politikisht. Sigurisht që ka njerëz që thonë pse nuk angazhohemi, por është diçka që po e diskutojmë dhe do të marrim një vendim kur të vijë koha.