Në 17 gusht të 2018, kryebashkiaku Erion Veliaj inauguroi lagjen në Selitë, duke u shprehur se do të marrin fund problemet me infrastrukturën.

“Kur të vijnë qytetarët nga pushimet do të gjejnë rrugë të ndriçuara dhe me kanalizime.”

Por sot pamjet tregojnë të kundërtën.

Ankesat e qytetarëve mbeten të njëjtat.

“Bashkia nuk ka ndërhyrë në këtë pjesë. Bashkia të vijë ta shikojë.”

Banorët thonë se bashkia e Tiranës punon vetëm për fasadat ndërsa çdo investim e lidhin me votat në fushatë.

“Këta bëjnë vetëm fasada dhe kjo është e futur si rrugë.”

Nuk kanë munguar as ankesat drejtuar bashkisë por pavarësisht kësaj asgjë nuk ka ndryshuar.

“Kam bërë disa herë ankesa, por deri tani nuk është vënë uji në zjarr.”

Ky segment i pashtruar e bën më të vështirë situatën për drejtuesit e automjeteve.

“Kjo është rruga, kur të na e bëjë shteti, qoftë edhe për kalamajtë e vegjël.”

Veç rrugës banorët thonë se punonjësit e bashkisë nuk shërbejnë në këtë zonë, ndërsa gjelbërimi mungon.

“As pastruese, asgjë nuk ka. Këtu nuk mund të flasësh për pastrim se nuk ka asfalt.”

E vetmja gjë që nuk i mungon kësaj lagje janë pallatet, pa kritere dhe pa asnjë strukturë për të lënë vend edhe për hapësira çlodhëse.