Publikohen fotot e dy vëllezërve të akuzuar për dhënie të parave me fajde dhe trafik drogë në Itali, të cilëve prokuroria e Tiranës tri ditë më parë u sekuestroi rreth 5 milionë euro pasuri. Sokol dhe Elson Marku sipas prokurorisë së Tiranës kanë në pronësi dhjetëra makina luksoze, lokale, apartamente dhe biznese të tjera. Ata jepnin para me fajde, dhe personave që nuk kthenin shumat, përmes dhunës, u merrnin pronat si lokale, apartamente apo automjete.

Këto janë fotot e dy vëllezërve nga Mirdita Sokol Marku (Xheladini) dhe Elson Marku, të cilëve prokuroria e Tiranës, dy ditë më parë i sekuestroi një pasuri që përllogaritet deri në këtë fazë të hetimit, në 5 milion euro.

Sokol Marku i njohur edhe me emrin Xheladini, 32 vjeç disponon në emër të tij 8 makina luksoze.

Për policinë ai rezulton i dënuar dhe i shpallur në kërkim në Mars 2013.

Ndërsa në mars të vitit 2016 është shpallur në kërkim policor për “Vrasje me dashje mbetur në tentativë dhe vetëgjyqësi”.

Marku është hequr nga kërkimi në 18 prill 2016 për shkak të anulimit për kalim të afateve.

Një tjetër dënim ndaj tij është ai i datës 10 shkurt 2017, ku gjykata e Tiranës vendosi 1 muaj heqje lirie për “Kundërshtimit të punonjësit të policisë”.

Një vit më pas në janar 2018 është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, për akuzën e “Kanosjes dhe dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërsa ky që po shihni në këtë foto është vëllai i Sokolit, Elson Marku, i cili figuron si person me precedent në fushën e “Prodhim dhe shitjes së lëndëve narkotike” pasi është në Itali.

Sipas dosjes hetimore që disponon “Ora News”, Sokol Marku së bashku me vëllain e tij, Elson Marku dyshohet se një pjesë të parave të fituara, i sjellin në Shqipëri, duke i qarkulluar nëpërmjet dhënies me fajde tek persona të tjerë.

“…Sokol Marku, së bashku me vëllain e tij dhe me disa persona të tjerë si Vullnet Shehu, Edmond Gecaj, i japin personave të ndryshëm shuma të mëdha parash, kundrejt përqindjes së lartë, te cilat dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre në trafikun e lëndëve narkotike…” – thuhet në dosjen e akuzës.

Sipas saj “…në raste të pamundësisë të kthimit të shumave financiare, me anë të kërcënimit, këta persona ua marrin pronat individëve që u kanë dhënë para me fajde, kryesisht apartamente, lokale, automjete etj.”

Ky mekanizëm kriminal thotë prokuroria është vërtetuar, edhe në bazë të ngjarjes së ndodhur në datë 25 janar 2018, ku këta persona janë konfliktuar në lokalin “In Mezzo Bar”, në pronësi Bepin Dodani.

Sipas prokurorisë rezulton se vetëm në emër të Elson Markut janë 4 automjete të markave “BMVV X6”, “Porche Macan” dhe “Daimler Chysler”.

Ndërsa në emër të vëllait të tij, Sokol Markut janë 8 makina, duke filluar nga “Golf 5”, “Audi A8” dhe A7, dy makina “BMW-X5” e “Mercedes Benz”, 4 apartamente në Tiranë dhe Qerret të Kavajës.

Katër Bar-Kafe në Tiranë, të cilat i kanë përfituar nëpërmjet skemës së fajdeve.

Në pronësi të babait të tyre Lazër Marku,është i regjistruar një automjet “Land Rover” i tipit Frelander si dhe një fermë me dhi në zonën e Krujë.

Ndërsa në emër të mikut të dy vëllezërve Edmond Gecaj, rezultojnë 5 makina, ku tre janë të markës Mercedes Benz, një BMVV X5 dhe Daimler Chrysler.