Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpie për Bajram Tushën, 72- vjeçarin e akuzuar për abuzim seksual me të mitur.

Vendimi që i hapi dyert e qelisë të moshuarit është paraprirë nga tërheqja e prokurorisë nga akuzat e ngritura ndaj tij. Ajo ka ndryshuar nga Abuzim seksual me të mitur, në ngacmim seksuale.

Kërkesa e 72-vjeçarit për ndryshimin e masës së sigurisë është mbajtur më 16 nëntor dhe është trajtuar si rast përjashtimor nga gjykata që ka pezulluar veprimtarinë për shkak të përhapjes së Koronavirusit.

Ka qenë gjyqtarja Suela Xhani, ajo që pas tërheqjes së prokurorisë i ka hapur derën e burgut të dyshuarit për abuzim seksuale me të mitur, të cilit një kërkesë e ngjashme i ishte rrënuar në muajin korrik.

Në muajin prill, kur opinioni publik u trondit nga skandali i abuzimit seksual me të miturën, 17-vjeçarja refuzoi të rikthehej në familje, duke zgjedhur instancat rehabilituese. Sipas banorëve, familja e saj është transferuar nga fshati Gjashtë.  

E mitura 17 vjeçare akuzonte për abuzim seksual 72-vjeçarin, dhe dy persona të tjerë për ngacmim seksual.

Familja e vajzës në deklaratat e tyre pas skandalit seksual, mbronin pafajësinë e Barjam Tushës.