Kryeministri spanjoll  Pedro Sanchez tha sot se respekton vendimin e pallatit mbretëror për largimin nga vendi të ish-mbretit të Spanjës, Juan Carlos, në përpjekje për ta bërë më të lehtë mbretërimin e djalit të tij, pas skandaleve të fundit.

Sanchez, në një konferencë për shtyp tha se vendimi, i cili u njoftua nga pallati pasditen e djeshme, “është i përshtatshëm për një demokraci të fortë”.

“Institucionet nuk duhet të gjykohen, njerëzit duhet të gjykohen. Në këtë rast, Juan Carlos e ka sqaruar se është në dispozicion të gjyqësorit, nëse është e nevojshme, si çdo spanjoll tjetër,” tha ai.

Televizioni publik RTVE, megjithatë, raportoi se Carlos ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer së shpejti në Spanjë, ndërsa gazeta El Mundo, duke përmendur burimet e veta, shkruan se ai mund të kthehet në vend në shtator.

Juan Carlos raportohet se është strehuar në Republikën Dominikane, sipas disa mediave spanjolle.

Pallati njoftoi të hënën se Juan Carlos, i cili dha dorëheqjen në vitin 2014, po largohet nga vendi në mënyrë që punët e tij personale, kryesisht një skandal ryshfeti që lidhet me dhënien e një kontrate  një konsorciumi spanjoll për ndërtimin e një linje hekurudhore në Arabinë Saudite, të mos ndikojnë në punën e djalit të tij, Felipe.