Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden mund të vizitojë Brukselin në fillim të vitit të ardhëshëm. Lajmin e ka njoftuar kreu i Organizatës Veri Atlantike, Jens Stoltenberg.

Ai njoftoi se NATO po planifikon një samit në Bruksel “në fillim të vitit të ardhshëm” pasi Presidenti i zgjedhur i SHBA Joe Biden të marrë detyrën.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha se ende nuk është caktuar ndonjë datë fikse për takimin.

“E kam ftuar Presidentin e zgjedhur Joe Biden në një samit të NATO-s, në Bruksel, në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Stoltenberg këtë të hënë gjatë një konference për shtyp.

Analistët e sigurisë komentojnë se NATO është kërkon të vendosë kontakte të hershme me presidentin e zgjedhur Biden, pasi aleanca e dominuar nga SHBA-të, pati tronditje nga akuzat e presidentit në detyrë Trump se vendet evropiane shpenzojnë shumë pak në mbrojtje, gjithashtu edhe vënia në pikëpyetje e dobisë së aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Stoltenberg, më herët e ka vlerësuar Bidenin si një “mbështetës të fortë” të NATO-s.

Mediet amerikane njoftojnë se burime pranë NATO-s, njoftojnë se samiti mund të zhvillohet në maj ose qershor, në varësi të planeve të tjera të udhëtimit të presidentit jashtë Amerikës.

Një vendim kryesor me të cilin përballet NATO është misioni i saj në Afganistan.

Vetë kreu i aleancës Stoltenberg është shprehur kundër tërheqjes së menjëhershme sepse do të hapte problem të rënda për sigurinë, ndërkohë që presidenti në detyrë Trump këmbëngul për të ulur numrin e trupave amerikane në vendin e shkatërruar nga lufta, në 2,500 deri në 15 janar.

Stoltenberg njoftoi këtë të hënë se ai kishte pasur një telefonatë “të shkëlqyeshme” me Bidenin më 23 nëntor, kun ë fokus kishte qenë edhe  Afganistani. Sipas sekretarit Stoltenberg ministrat e mbrojtjes së NATO-s do të marrin një vendim për misionin atje në një takim, në shkurt.